Shkolla fillore e mesme e ulët “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë dhe shkolla “Naim Frashëri”, i janë nënshtruar presionit për shtypjen e grevës. Të dy shkollat përmes faqeve zyrtare u kanë bërë thirrje nxënësve që të pajisen me tekstet shkollore dhe t’i kthehen mësimit në shkollë.
Edhe pse greva e përgjithshme në sektorin publik kishte nisur që nga 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) u tha se do të jenë strikt me këtë vendim, jo të gjitha shkollat po veprojnë ashtu.
“Duke e pasur parasysh gjendjen e krijuar në arsim dhe në konsultim me DKA-Podujevë ftojmë të gjithë prindërit që nga data 05.09.2022 (e hënë) t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë për tu pajisur me tekstet shkollore të cilat do të ndahen në të gjitha shkollat dhe njëkohësisht të fillojë procesi mësimor”, thuhet në postimin e shkollës “Naim Frashëri” por edhe në postimin e shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë.
Në postim thuhet se vendimi i qeverisë ka krijuar rrethana të reja përmes të cilat duhet të reflektohet.
Vendimi i djeshëm i qeverisë ka krijuar rrethana të reja në të cilat duhet të reflektojmë të gjithë dhe të minimizojmë humbjet që shkaktohen nga greva për fëmijët tanë”, thuhet në postim.