image Dy pallate në Durrës kishin distancë, por pas tërmetit u bashkuan

Rajon

Dy pallate në Durrës kishin distancë, por pas tërmetit u bashkuan

news image

Hallet për banorët e Durrësit nuk kanë të sosur. Tashmë nuk janë problem vetëm ata që kanë mbetur përfundimisht pa shtëpi. Shumë të tjerë presin akt ekspertime, që disa ekspertë i kanë konsideruar apartamentet të banueshme edhe pse kërkojnë riparime në më shumë se 50 për qind të tyre.

Por, ka edhe grupe specialistësh nga vendet e Bashkimit Evropian, që janë radikalë në vendimet e tyre, duke i konsideruar këto pallate të pabanueshme dhe tërësisht jashtë funksioni.

Pas emisionit Top Story në Top Channel, ku u denoncuan me emër e mbiemër ndërtues abuzivë, kanë mbërritur të tjera denoncime. Një prej tyre është edhe i një qytetari nga lagja numër 5 në Durrës, që tregon se pallati i tij është bartuar dhe thuajse ngjitur me tjetrin. Ai thotë se distanca para tërmetit ka qenë një metër, ndërsa tani edhe centimetra është shumë të thuhet se i ndajnë nga njëri-tjetri.

Bëhet fjalë për një pallat të ndodhur në lagjen numër 5 dhe që njihet si “Pallati i Agron Sanxhakut”. Denoncuesi shpjegon se e ka blerë apartamentin e tij katër muaj më parë me sipërfaqja 150 metra katror dhe një vlerë prej 60 mijë euro.

Por, për të frika për të banuar është e përditshme. Sipas tij, ekspertët shqiptarë e cilësuan të banueshëm, duke marrë vendim për ndërhyrje edhe në kolonat mbrojtëse. Të njëjtën gjë thotë denoncuesi, e konfirmuan edhe ekspertët grekë, me disa rezerva, që kishin të bënin me mënyrën e ndërhyrjes.

Por, ai beson vetëm ekipet izraelite të verifikimit, të cilët kanë shprehur prezari vendimin se ky pallat është i pabanueshëm, pasi ka thyerje të kolonës, e cila edhe nëse riparohet nuk mundet që të jetë efikase, në rast të një tërmeti tjetër.

“Jemi në ankth, sepse nuk e di, si do veprohet” – thotë qytetari i kontaktuar përmes linjës telefonike nga Gazeta SHQIP. Mes të tjerash shton se vetëm këto dy pallate kanë probleme, ndërsa një tjetër që është vetëm pak metra më larg nuk ka pësuar asnjë problem.

Sipas tij, cilësia e ndërtimit bën diferencën. Në pallatin, ku ai ka blerë shtëpinë punimet duken që janë pa cilësi, sepse toka ku është ngritur pallati është e njëjtë me tjetrin, që pavarësisht tërmetit me intensitet të lartë nuk ka pësuar asnjë plasaritje.