Dy nxënëse kanë marr lëndime serioze si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje në SHFMU “Zejnel Salihu” në fshatin Bardh i Madh të Fushë Kosovës.
Një sinjalizues ka njoftuar Gazetën Sinjali se aksidenti ka ndodhur si rezultat i shembjes së një pjese të skeleve që janë vendosur përreth objektit të shkollës, i cili po rinovohet dhe izolohet, derisa po zhvillohej mësimi në orët e paradites.
Ai deklaron se sipas informatave nga prindërit dhe personeli i shkollës, armaturat e skeleve kanë rënë në dritaret e njërës klasë me ç’rast dritarja ka goditur dy nxënëse gjatë procesit mësimor, ndërkaq sipas tyre dy vajza kanë marrë lëndime serioze në kokë dhe shpinë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar drejtorin e Arsimit të Komunës së Fushë Kosovës, Islam Shabani, i cili ka mohuar se aksidenti të ketë ndodhur për shkak të skeleve.
Shabani në një bisedë me Gazetën Sinjali,ka thënë se skelet nuk kanë qenë shkaktare të aksidentit, por se dritarja ka rrëshqitur dhe ka goditur dy nxënësit që kanë qenë më së afërmi.
“Nuk ka ndodhur incidenti as për armatura as për skele dhe as për asgjë tjetër, dritarja ka rrëshqitur në kohën e mësimit pa e prekur askush duket se nuk ka qenë e mbyllur mirë, skelet nuk kanë të bëjnë fare me të dhe as armaturat. Në momentin ka qenë kujdestari i klasës duke orën e mësimit dhe po më habit ajo imagjinatë kaq e poshtër që të lidhen në armatura dhe në skele”, ka deklaruar ai.
Më tutje ai ka thënë se dy nxënës janë goditur nga dritarja, por që sipas tij nuk kanë pësuar lëndime të rënda dhe se rasti ka kaluar pa lëndime serioze.
“Ajo ka rrëshqitur vetë dhe u ka rënë dy nxënëseve, fatbardhësisht nuk janë lënduar, pa pasoja ka kaluar ky rast dhe pa gjakderdhje, por për çdo eventualitet drejtori i shkollës i ka dërguar në kontroll dhe mjeku ka konstatuar se nuk janë të lënduar dhe nuk kanë gjakderdhje, kjo është e vërteta nuk ka të bëjë fare me armatura dhe as me skele”.
“Dritarja ka rrëshqitur për shkak se nuk ka qenë e kyçur mirë dhe i ka goditur dy nxënësit që kanë qenë më së afërti. Dritarja e ka qenë moti e vendosur ka disa vite që kanë qenë të vendosura për shkak se i kemi ndërruar, por skela nuk ka qenë as afër”, ka deklaruar drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabanin.
Kujtojmë se kjo shkollë në këtë periudhë është duke kryer punimet për objektin e jashtëm, duke i kryer fasadën e këtij objekti./Gazeta Sinjali/