Pesë gra shtatzëna janë shtruar në spital dhe dy prej tyre kanë humbur foshnjet pas komplikimeve nga fruthi në Zelandën e Re.
Nënat, të dyja nga qyteti verior i Auckland, ishin me fruth dhe ndërlikimet nga sëmundja çuan në humbjen e foshnjave të tyre.
Ato ishin 3 muajshe shtatzënë.
“Këto nuk llogariten si vdekje direkte nga fruthi, por më tepër komplikime serioze që lidhen potencialisht me fruthin tek nëna,”-tha Shërbimi i Shëndetit Publik Rajonal i Auckland (ARPHS).
Tre gra të tjera shtatzënë me fruth janë shtruar gjithashtu në spital.
Fruthi mund të parandalohet lehtësisht. Nëse vaksinoheni me një dozë është 93% efektive në parandalimin e sëmundjes. Nëse jeni të vaksinuar me dy doza, sipas udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore, bëhet 97% efektiv.
Gratë shtatzëna nuk janë më të prekurat nga fruthi, por nëse nuk vaksinohen kanë rrezik aborti më të madh, lindje të parakohshme dhe lindje të foshnjave me peshë të vogël.
Zelanda e Re eliminoi zyrtarisht fruthin për herë të parë në vitin 2017. Por tani është rikthyer dhe është shpërthimi më i madh në 20 vjet, thanë zyrtarët.
Më e përqendruar është në qytetin e Auckland. Nga 1.604 raste të konfirmuara në mbarë vendin këtë vit, 1.329 janë në rajonin e Auckland.