image Dy konvikte do të jenë gati në shtator, vitin tjetër nisin projektet për Lojërat Mesdhetare

Kosovë

Dy konvikte do të jenë gati në shtator, vitin tjetër nisin projektet për Lojërat Mesdhetare

news image

Qendra e Studentëve në Prishtinë është duke zhvilluar punime për renovimin e dy konvikteve, me synimin që ato të jenë gati për pranimin e studentëve në muajin shtator.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari, tha se fillimi i akomodimit do të varet nga afatet e regjistrimit që do t’i përcaktojë Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

“Jemi në proces të renovimit të dy konvikteve, ku po bëhen punime si gëlqerosja dhe rregullime të tjera. Besojmë se gjithçka do të përfundojë deri në shtator. Synimi ynë është që më 15 shtator të fillojë akomodimi i studentëve, por kjo varet nga afati i dytë i regjistrimit që cakton Rektorati”, tha Rudari për EO, përcjell Sinjali.

Ai kujtoi se vitin e kaluar procesi i akomodimit ishte shtyrë për të mos dëmtuar studentët që aplikuan në afatin e dytë të regjistrimit.

Sa u përket investimeve, Rudari bëri të ditur se gjatë këtij viti nuk janë planifikuar projekte të reja, përveç renovimeve në objektet ekzistuese.

Sipas tij, investimet më të mëdha pritet të nisin vitin e ardhshëm në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare. Ato përfshijnë ndërtimin e tre konvikteve të reja, mbulimin e pishinës gjysmë olimpike dhe renovimin e të gjitha objekteve të Qendrës së Studentëve.

Aktualisht, Qendra e Studentëve ka kapacitet për rreth 4 mijë studentë, ndërsa pas realizimit të investimeve të reja pritet të arrijë në rreth 5 mijë vende.

Megjithatë, sipas Rudarit, kërkesa vazhdon të jetë më e madhe se kapaciteti në dispozicion.

“Zakonisht kemi rreth 6 mijë aplikues, që do të thotë se rreth 2 mijë studentë mbesin çdo vit pa u akomoduar në konvikte”, theksoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/