image Kush e krijoi trofeun e Kupës së Botës? Historia e skulptorit italian Silvio Gazzaniga

Futboll

Kush e krijoi trofeun e Kupës së Botës? Historia e skulptorit italian Silvio Gazzaniga

news image

Pak para finales së Kupa së Botës 2026, vëmendja nuk është vetëm te skuadrat që do të luftojnë për titullin, por edhe te trofeu më i famshëm në futboll – Kupa e Botës FIFA. Pas këtij simboli që ngrihet nga kapitenët kampionë qëndron historia e një skulptori italian nga Milano, Silvio Gazzaniga.

Gazzaniga ishte krijuesi i dizajnit të trofeut aktual të Kupës së Botës, pasi FIFA kërkoi një trofe të ri pas vitit 1970, kur Brazili fitoi për herë të tretë turneun dhe mori përgjithmonë trofeun e vjetër Jules Rimet.

Skulptori italian e krijoi modelin në studion e tij në lagjen Brera të Milanos. Dizajni i tij u zgjodh mes më shumë se 50 propozimeve dhe paraqet dy figura njerëzore që ngrihen drejt një globi, duke simbolizuar përpjekjen e sportistit, gëzimin e tifozëve dhe momentin e triumfit.

Trofeu u përdor për herë të parë në Kupën e Botës 1974 në Gjermani dhe që atëherë është bërë një nga objektet më të njohura në historinë e sportit botëror. Edhe pse quhet “Kupa e Botës”, skuadrat fituese nuk e mbajnë përgjithmonë trofeun origjinal; ai ruhet nga FIFA, ndërsa kampionët marrin një kopje për kujtim.

Gazzaniga, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, krijoi një simbol që sot lidhet me ëndrrën më të madhe të çdo futbollisti: ngritjen e trofeut të Kupës së Botës para miliona tifozëve në mbarë botën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/