Policia e Kosovës ka kapur në rimorkion e një kamioni dy emigrantë, të cilët tentuan që të futen ilegalisht në territorin e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Ata u zunë gjatë kontrollit të policisë kufitare në Han të Elezit, me një pajisje të veçantë (zbulues të pranisë së njerëzve në automjete) një kamion me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili vinte i ngarkuar nga Turqia.
Emigrantët janë A.Z., nga Algjeria dhe T.A., nga Libia, të cilët sipas policisë, kishin arritur të futen në rimorkion e kamionit, duke e dëmtuar një pjesë të mbulojës së saj.
“Gjatë kontrollimit, pas sinjaleve të marra, është vendosur që rimorkio të hapet për kontrollim më të detajuar. Pas kontrollit, në rimorkion e kamionit janë hasur dy emigrant: A. Z. nga Algjeria i cili nuk posedonte dokumente identifikimi dhe T. A. nga Libia me një pasaportë të Libisë. Të dyshuarit ishin futur në rimorkio të kamionit duke dëmtuar një pjesë të mbulojës së rimorkios”, thuhet në njoftimin e policisë.
Para hetuesve policorë, ata deklaruan se kanë ardhur nga Greqia në Maqedoni të Veriut para dy ditësh dhe më pas kanë tentuar që të kalojnë në Kosovë./Gazeta Sinjali/