Një qytetar i komunitetit serb është sulmuar nga dy shtetas egjiptianë në fshatin Oprashkë në Komunën e Istogut, sot rreth orës 11:00, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës për rajonin e Pejës përmes një komunikate për media.
Në komunikatë thuhet se të dyshuarit kishin shkuar në pyllin e viktimës për të vjedhur dru.
“Sot me datë 12.06.2020 rreth orës 11:00, Policia e Kosovës, Stacioni Policor ne Istog, është informuar nga viktima, se ne fshatin Oprashkë- Istog, është sulmuar nga dy persona te dyshuar, te cilët kishin shkuar ne pyllin e viktimës për te vjedhur dru”, njofton policia.
Sipas viktimës, ai ishte munduar qe t’i ndal të dyshuarit, mirëpo të njëjtit e kishin sulmuar dhe goditur duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor ne Spitalin Rajonal ne Pejë, dhe i njëjti pas tretmanit është liruar për në shtëpi.
Policia njofton se të dyshuarit të komunitetit egjiptian, Rr.G, 22-vjeçar dhe Rr.G, 19-vjeçar janë identifikuar dhe arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Mirëpo, ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Hoti, Dalibor Jevtić, për këtë sulm ka akuzuar shqiptarët. Sipas tij, ky incident ka ndodhur kundër kthimit të serbëve në Kosovë.
“Serbi i vetëm i kthyer që jeton me familjen e tij në fshatin Oprashkë, komuna e Istogut, Petko Miletiq, është rrahur nga shqiptarët. Pekto aktualisht është duke marrë trajtimin mjekësor në ambulancën lokale. Incidenti ka ndodhur këtë mëngjes është raportuar në polici”, ka shkruar Jevtiq në Twitter.
Akuzat ndaj shqiptarëve për këtë rast, ministri në Qeverinë Hoti, i ka bërë edhe përmes webfaqes zyrtare të ministrisë që ai udhëheq.
“Në fshatin Oprashke në komunën e Istogut, ku dikur jetonin dikur rreth njëzet familje serbe, sot Petko Miletić – i vetmi serb i kthyer dhe banor i këtij fshati – u rrah nga shqiptarët. Miletić i rrahur është dërguar në Spitalin e Pejës për ekzaminime shtesë mjekësore pasi ka marrë ndihmë mjekësore në ambulancën lokale, i shoqëruar nga policia. Miletić pësoi lëndime trupore nga dy shqiptarë ndërsa parandaloi prerjen e paligjshme të drurit në pronën e tij, dhe me atë rast, telefoni i tij celular u vodh”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Nga kjo ministri kanë thënë se ankesat pranë insitucioneve që mund “të ndihmojnë në luftimin e këtij problemi” nuk do të ndalen, derisa “të jenë të bindur se çdo i kthyer në Kosovë është i sigurt”.
“Është obligimi ynë moral të përpiqemi të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’i ndihmuar të kthyerit të kapërcejnë këto kohë të vështira. Ne e kemi bërë atë në të kaluarën, po e bëjmë tani dhe do ta bëjmë atë. Heshtja dhe indiferenca ndaj incidenteve të sigurisë të këtij lloji, pjesërisht, nënkupton miratimin e tyre. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që autorët e këtyre veprave të gjenden dhe të ndiqen sa më shpejt të jetë e mundur, është thënë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim”, thuhet tutje në njoftim.
Që nga shkurti, nga kjo ministri thotnë se ky është incidenti i 26-të me radhë.
Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me këtë ministri, por numri i publikuar në webfaqe ka qenë i paçasshëm./Gazeta Sinjali/