Në Kosovë ka filluar përhapja e virusit “Coxsackie”, i cili po prek fëmijët deri në moshën 5-vjeçare, shkruan Gazeta Sinjali.
Vetëm gjatë muajit nëntor, në Klinikën e Pediatrisë në QKUK janë paraqitur për kontroll 15 fëmijë të cilët janë infektuar me këtë virus.
Në mesin e fëmijëve të prekur nga ky virus është edhe një vajzë nga Peja e cila, sipas babait të saj, është infektuar me “coxsackie” vetëm dy ditë pasi që ka filluar të shkojë në çerdhe.
Madje, sipas tij, edhe shumë fëmijë të asaj çerdhe janë infektuar me këtë virus.
A.Gj. (emër i njohur për redaksinë) ka komentuar në artikullin e Gazetës Sinjali që flet për përhapjen e këtij virusi në Kosovë, duke apeluar për kujdes, pasi që sipas tij, virusi “coxsackie” përhapet shumë shpejt.
“Është shumë e vërtetë për këtë virus. Unë vetë vajzën time pas dy dite që e kam dërgua në çerdhe më është infektu me këtë virus dhe plotë fëmijë të tjerë janë të infektum, që kanë shkru plot prindër të tjerë që jemi në grupin e çerdhes. Mos i bëni asgjë, se shumë shpejt po u shpërhapke. Të keni parasysh se fëmijët janë e ardhmja jonë. Ne edhe në COVID-19 s’kemi besu, po u infektuan e vdiqën me mijëra njerëz”, ka shkruar ai.
Simptomat e këtij virusi janë: pikat e kuqe në duar, këmbë e gojë dhe prek moshat nga një deri në 5 vjeç, kryesisht në periudhën e vjeshtës dhe dimrit.
Drejtoresha e Pediatrisë, Violeta Grajçevci, tha dje në TCh, se si masë parandaluese, prindërit duhet të tregojnë kujdes të shtuar të higjienës së fëmijëve.
Sipas saj, pjesa dërrmuese e fëmijëve e kalojnë lehtë brenda 8 deri 10 ditë, ndërsa në raste të rralla kalohet në infeksion sekondar për çka përdoren antibiotikët./Gazeta Sinjali/