image Dy dëshmitarë të ZPS-së do të ftohen serish në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

Drejtësi

Dy dëshmitarë të ZPS-së do të ftohen serish në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

news image

Ka përfunduar për këtë javë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Në Dhomat e Specializuara në Hagë është dëgjuar dëshmitari i mbrojtjes, Çelë Gashi, anëtar i këshillit drejtues në OVL-UÇK.

Ai ka rrëfyer ngjarjen e 7 shtatorit 2020 kur në organizatë kishin arritur dokumente nga një person i panjohur, publikimin e të cilave ka thënë se OVL-UÇK e ka bërë për të treguar bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën Speciale.

Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, Gashi ka thënë se i ka parë disa prej dokumenteve që kishin arritur në OVL dhe shumë prej tyre përmbanin emra të serbëve.

“Jo për t’i cenuar, por kemi dashur ta qesim në dritë bashkëpunimin e Dhomave të Specializuara dhe regjimit të Serbisë, bashkëpunimin në mes të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Serbisë… Ju vetë i keni minuar sepse keni marrë material prej Serbisë, nuk ke çka të flasësh këtu, materialin e keni pru te ne ju, unë nuk e kam pru atë atje”, ka thënë Gashi.

Trupi gjykues ka bërë të ditur se e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes që të thirren për herë të dytë dy dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të merren në pyetje nga avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

Sipas avokatit Rees, mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që të ngrejë siç duhet pretendimin për shtyrje në kryerjen e krimit.

“Ne në parashtrimet tona përmbyllëse do ta bëjmë shumë të qartë që janë të suksesshme pretendimet për shtytje për kryerjen e krimit, shtrëngimi nuk është një prej këtyre elementeve apo të dëshmive. Gjatë gjithë kohës ne kemi kërkuar të ecim me shpejtësi dhe e falënderojmë trupin gjykues për këtë, kemi kërkuar të mos kemi vonesa, por të jemi fleksibil për shembull lidhur me faktin që ZPS nuk i ka përmbushur plotësisht detyrimet për nxjerrjen që në fillim të këtij procesi apo deri në momentin kur përfundimi në mënyrë të rregullt i dëshmisë nga ana e zonjës Pumper, apo që nuk i kanë kryer detyrimet për nxjerrjen para përfundimit të dëshmisë së zotëri Jukiq”, ka thënë Rees.

Ndërsa, nga ZPS kanë vlerësuar se nuk ka ndonjë bazë për të ri-thirrur dëshmitarët.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK do të vazhdojë më 15 dhjetor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./GazetaSinjali/