Një pallat në Shkozet, i shembur me shpërthim të komanduar siç tregojnë pamjet e 8 dhjetorit të vitit të kaluar, për komunën është i banueshëm.
Ndaj 24 familjeve që jetonin aty u është mohuar bonusi i qirasë.
“Nuk e marrim sepse na thonë që pallati juaj është i banueshëm. Nuk kemi marrë asnjë gotë ujë” thanë banorët.
Nënkryetari i bashkisë pranoi për Ora News se ky është gabim njerëzor, pasi pallatet që shemben nuk futen në sistem. Ai sqaroi se këta banorë duhet të paraqiten pranë komunës me vërtetimin e banimit për të përfituar bonusin.
Por ky gabim në menaxhimin e informacionit mbi pallatet e shembura nga bashkia e Durrësit, po u kushton rëndë banorëve që fillimisht thonë se humbën mundin e tashmë kanë mbetur në rrugë të madhe.
Sipas banorëve, ndërtesa ishte dëmtuar që pas tërmetit të 21 shtatorit, dhe për këtë ata akuzojnë bizneset që ndërhynë në katin e parë.
Por edhe pse iu ofrohet bonusi, ata kërkojnë që ndërtesa tu rindërtohet aty ku ka qenë prej 40 vitesh./Gazeta Sinjali/