Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi i ka dalë publikisht në mbështetje Vlora Çitakut, pas dorëheqjes nga posti i ambasadores në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dumoshi përmes një postimi në profilin e Çitakut në rrjetin social Facebook, i ka thënë se atë e duan të gjithë, transmeton Gazeta Sinjali.
“Vlorat mbesin Vlora, simbol flamuri. Të duam të gjithë!”, ka shkruar ministrja Dumoshi në Facebook.
Gjatë ditës së djeshme, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca propozoi t’i shkarkonte disa ambasadorë, përfshirë këtu edhe Vlora Çitakun.
Ndaj këtij propozimi nuk vonoi edhe reagimi i vetë Çitakut, e cila tha se do ta respektojë kërkesën e qeverisë për ta liruar postin e ambasadores.
“Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emëroj dhe shkarkoj Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook./Gazeta Sinjali/