Një 53 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tropojës pasi akuzohet për shitje të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit të koduar “Again”, është bërë i mundur arrestimi i B. Zh., 53-vjeçar, banues në Bajram Curri, Tropojë.
Gjithashtu policia ka sekuestruar rreth 18 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
“Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë dhe Prokurorinë e Rrethit Tropojë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Again”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Zh., 53 vjeç, banues në Bajram Curri, Tropojë“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 18 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një aparat celuar, shkruan abcnews.
“Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.