Performanca e dobët në menaxhimin e ministrisë së Shëndetësisë ka ndikuar që Rifat Latifi të japë dorëheqje nga pozita e ministrit në këtë dikastër.
Kështu tha për Gazetën Sinjali, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.
“Performanca e tij e dobët ka rezultuar me dorëheqjen e tij. Në asnjërën prej segmenteve të shëndetësisë nuk ka dhënë performancë pozitive”, u shpreh Dreshaj.
Theksojmë se Latifi dha dorëheqje nga posti i ministrit të MSH-së pasditen e 6 tetorit.
Që nga ardhja e Latifit në këtë pozitë, ai është ballafaquar me kritika për shkak të udhëtimeve të tij të shumta nëpër vende të ndryshme të botës.
Këto vizita, deputetët e opozitës i kanë quajtur “ekskurzione” për çka Latifi është kritikuar vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës.
Latifi u emërua ministër në nëntorin e vitit të kaluar, pasi Arben Vitia u largua nga ky post, për të garuar për kryetar të Prishtinës.
Ministri i Shëndetësisë është kirug që ka vepruar për shumë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.