Faruk Beqiri, drejtor Teknik në Ferronikel, thotë se prej gjashtë muajsh në këtë kompani nuk ka prodhim. Për këtë thonë se u kanë shkruar institucioneve kompetente por s’kanë marrë asnjë herë përgjigje.
Beqiri thotë se ata nuk kërkojnë ndihmë financiare por teknike, dhe kjo do të mund t’u mundësohej nga qeveria e vendit.
Problemet për një nga punëdhënësit më të mëdhenjë në Kosovë nisën verën e kaluar me rritjen e çmimit të energjisë.
Ferronikeli furnizohet me energji qind për qind nga berza ndërkombëtare.
“Çmimi i rritur në berzë ne na detyroi që të ndërpresim pasi kostoja e prodhimit u ngrit në atë masë sa ishte e papërballueshme për kompaninë tonë. Prodhimi është ndal saktësisht më 8 tetor, qe plotë gjashtë muaj”, tha Beqiri në t7.
“Punonjësit tanë për këto gjashtë muaj faktikisht kanë qenë në pushim. Një pjesë e tyre është angazhuar në fabrikë për kujdestari dhe ca pastrime. Menaxhmenti ka vendosur që për këtë periudhë t’i paguajë ata me 50 për qind të pagës pasi 50 për qind të kohës faktikisht kanë qenë në vendet e tyre të punës. Shumica e punëtorëve tanë kanë kreditë ose kanë obligime ndaj bankave, disa prej tyre aq ka arrit sa t’ua mbulojë obligimet bankare. Mirëpo këto kanë qenë mundësitë e kompanisë në këtë periudhë që nuk kemi punuar”, shpjegoi ai.
“Në këtë kohë krize ne vazhdimisht i jemi drejtuar organeve kompetente, qeverisë, ministrive, me kërkesa që të bëhet një zgjidhje për Ferronikelin por çdo herë duke potencuar se Ferronikeli asnjëherë nuk ka lyp ndihmë financiare nga qeveria por vetëm ndihmë teknike të cilat janë të mundshme. Fatkeqësisht ne asnjëherë s’kemi marrë përgjigje zyrtare as nga ndonjë ministri apo nga qeveria apo kryeministria”, tha Beqiri.
“Faktikisht kemi mbet nën mëshirën e zotit gjer më tani sa po bisedojmë”, tha Beqiri.