Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se po dyshohet se qytetarët e Komunës së Deçanit janë helmuar nga uji i pijes.
Një njoftim të tillë e kishte dhënë KRU “Hidrodrini” në Deçan gjatë ditës së sotme, ku ka kërkuar nga qytetarët që të mos konsumojnë ujin deri në njoftimin e radhës.
Gazeta Sinjali ka biseduar me drejtorin e QKMF-së “Adem Ukëhaxhaj’, në Deçan, Selmon Berisha, i cili ka thënë se vetëm gjatë natës së mbrëmshme ndihmë mjekësore kanë kërkuar 164 pacientë.
Ai ka shtuar se nuk mund ta cilësojnë si helmim nga uji, kjo sepse nuk kanë bërë analizat tek pacientët dhe nuk i kanë as analizat e ujit.
“Ne kemi një shqetësim në QKMF në Deçan është një numër i shtuar i pacientëve do të thotë gjatë natës kanë qenë 164, mirëpo është në shtruarje e sipër. Ne nuk e dimë se nga kush apo se nga çka është kjo, nuk mund të themi as se është helmim nga uji apo sëmundje virale apo bakteriale meqenëse nuk kemi bo analiza, nuk i kemi analiza të ujit”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se pacientët po vijnë me simptoma që përfshijnë marramendje, plogështi, të vjella, barkqitje, dhimbje barku dhe temperaturë.
“Simptoma janë marramendje plogështi të vjella barkqitje dhimbje të barkut dhe temperaturë’, ka pohuar ai.
Berisha për Sinjalin ka thënë se janë duke punuar me kapacitete të plota pas paraqitjes së këtyre rasteve. /Gazeta Sinjali/