image Policia nis hetimet për vdekjen e 55-vjeçarit nga Prilepi i Deçanit - Sinjali

Policia nis hetimet për vdekjen e 55-vjeçarit nga Prilepi i Deçanit

news image

Zenel Lokaj, rreth 55 vjeç, nga Prilepi i Deçanit, ndërroi jetë dje rreth orës 17:28, në Spitalin rajonal të Pejës, raporton Gazeta Sinjali.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti, ndërkaq me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha mbrëmë për Sinjalin se 55-vjeçari ka vdekur nga arresti kardiak. Ai e mohoi se Zenel Lokaj ka qenë në mesin e banorëve të helmuar.

“Sipas raporteve mjekësore, ai ka ndërruar jetë si pasojë e sulmit kardiak. Jo, jo nuk ka qenë (në mesin e banorëve të helmuar”.

Ndërkaq drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha, tha mbrëmë për Sinjalin se shkaku i vërtetë i vdekjes së 55-vjeçarit do të kuptohet vetëm pasi trupit të pajetë t’i bëhet autopsia.

“Paska qenë pacienti i jonë, mirëpo sot ka shku Ndihma e Shpejtë dhe e ka marrë në shtëpi, ka qenë pa vetëdije. Ekipi i jonë mobil e ka çu në Spitalin e Pejës dhe atje paska vdekë. Por, sipas informacioneve që i kam unë, ka pas shenja të infarktit, por ne na mbetet që të tregojë autopsia se çfarë ka pasë, kështu që nuk mundemi me thanë që ka vdek prej asaj, e as prej kësaj. Për me e pas nëse ka kërkuar ndihmë te ne për shkak të helmimit duhet me i shiku regjistrat”, tha ai.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me familjarët e të ndjerit, si dhe Spitalin e Pejës, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje nga asnjëra palë./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin