image Drejtori i Policisë: Rreth 30 të dyshuar të tjerë ikën në këmbë, lanë pas 24 automjete

Siguri

Drejtori i Policisë: Rreth 30 të dyshuar të tjerë ikën në këmbë, lanë pas 24 automjete

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencën ku po prezantohen arsenali i armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike të konfiskuara nga Policia gjatë aksionit në veri, ka thënë se janë gjetur dokumente të Milan Radoiçiqit, i cili është në listën e zezë të ShBA-së.

Ndërsa drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se është ngritur dyshimi i fuqishëm se në mesin e të armatosurve ka qenë edhe vet Radoiçiq, raporton Gazeta Sinjali.

Gjithashtu Hoxha ka thënë së rreth 30 persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, kanë arritur të ikin nga Manastiri i Banjskës në këmbë.

Hoxha tha se ata kanë lënë pas 24 automjete, një prej të cilave mjet i blinduar. Brenda këtyre veturave, Hoxha tha se janë gjetur sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm.

“Personat e tjerë të dyshuar që bazuar në pamjet e sigurisë, mund të ishin rreth 30 persona kanë arritur që të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth manastirit të Banjskës, duke lënë mbrapa automjetet e tyre, që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, rezulton të jenë 24 automjete, një mjet i blinduar, si dhe dy motorrë me katër rrota, në brendi të të cilave automjete gjendej në sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm”, ka deklaruar Hoxha në konferencën e përbashkët me Ministrin Xhelal Sveçla.

Në vendin e ngjarjes, Hoxha tha se janë gjetur trupat e tre personave të vrarë, të cilët ishin të pajisur me armë të gjata dhe të veshur me uniforma ushtarake.

“Gjatë ekzaminimit të vendin e ngjarjes, në hapësirat në dhe përreth Manastirit të Banjskës janë gjetur trupat e tre personave të vrarë që janë në process të verifikimit, të cilëyt dyshohet të jenë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me ekipet e Policisë së Kosovës. Personat e vrarë ishin të pajisur me armë të gjata dhe kishin të veshur uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake”, ka thënë Hoxha.

/GazetaSinjali/