image Drejtori i Policisë për torturën në Gjakovë: I arrestuari nuk guxon as të fyhet e lëre më të preket me dorë

Kosovë

Drejtori i Policisë për torturën në Gjakovë: I arrestuari nuk guxon as të fyhet e lëre më të preket me dorë

news image

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është deklaruar për dhunën e ushtruar ndaj një personi të arrestuar në Gjakovë nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Gjakovë, ku komandanti i stacionit, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij kishin rrahur e torturuar të arrestuarin.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht videon ku një person i arrestuar ishte rrahur e torturuar nga komandanti Kristë Gjokaj si dhe pesë vartësit e tij.

Për këtë çështje Qalaj është pyetur në T7, ku ka thënë se policët një person të arrestuar nuk kanë lejë të ushtrojnë asnjë lloj dhune ndaj tij. Ai ka thënë se policët personin e arrestuar nuk guxojnë as ta fyejnë e lëre më ta prekin me dorë.

 “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të përdorë dhunë absolutisht. Policia i ka pajisjet e veta që duhet t’i përdorë në raste kur i rrezikohet jeta e zyrtarëve policorë apo kur kanosen dhe dhuna mund të ushtrohet vetëm në proporcion për të vënë situatën nën kontroll”.

“Por në asnjë rast i arrestuari nuk guxon të preket me dorë kur është i arrestuar, madje nuk guxon as të fyhet e lëre më të preket me dorë”, ka deklaruar Qalaj.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht kur një person i prangosur nga policët në Gjakovë ishte torturuar në mënyrë çnjerëzore nga komandanti i këtij stacioni të Policisë si dhe pesë vartësit e tij./Gazeta Sinjali/