Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se do të fillojnë së bashku me inspektorët që të marrin masa ndëshkuese për personat të cilët nuk i vendosin maskat.
Qalaj deklaroi se inspektimet dhe monitorimet do të fillojnë nga nesër, për arsye parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Nga nesër, Policia e Kosovës do të fillojë më seriozisht monitorimin nëse po respektohen vendimet e Qeverisë. Së bashku me inspektorët do të fillojmë me informimin, e pas disa ditësh do të nisim edhe me marrjen e masave ndëshkimore”, ka thënë Qalaj në KTV.
Ai po ashtu ka thënë se nga nesër, orari në Polici do të jetë 12-orësh.
“Besoj se bashkërisht do t’ia dalim, pasi nuk mund të vazhdohet kështu. Maska duhet të vendoset, të mbulojë hundën dhe gojën, e jo të mbahet në xhep apo dorë”, ka thënë Qalaj.
Po ashtu, ka njoftuar se aktualisht janë 73 raste aktive me COVID-19 në Polici, derisa 224 pjesëtarë janë në vetizolim./ Gazeta Sinjali/