image Drejtori i ORL-së në QKUK mohon se u përfshi në rrahje: Unë parandalova një tragjedi më të madhe

Kosovë

Drejtori i ORL-së në QKUK mohon se u përfshi në rrahje: Unë parandalova një tragjedi më të madhe

news image

Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Hajdin Thaçi, ka mohuar të jetë përfshirë në rrahjen e sotme ndërmjet disa fëmijëve në Klinë.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Thaçi ka rrëfyer versionin e tij për këtë rrahje, të cilën fillimisht e ka cilësuar si “punë të fëmijëve”. Ai ka treguar se si për biçikletën e nipit të tij, djali i tij është përfshirë në rrahje me grushte me 4 djemë, të cilët i ka quajtur të droguar. Për veten thotë se vetëm i ka ndarë ata dhe ua ka tërhequr vërejtjen.

“Kjo ka qenë punë e fëmijëve. Nipi im, 8 vjeç, ka qenë me biçikletë në një park që është afër neve. Ka hasë në 4 djemë që përdorin substanca narkotike edhe ia kanë marrë biçikletën”, është shprehur fillimisht Thaçi. “Fëmija ka ardhë duke qarë në shtëpi. Ka dalë djali im i madh pas tij edhe ka shku deri atje tek ata që ia kanë marrë biçikletën. Mandej unë kam shku pas djalit. Natyrisht kemi lypë sqarim, pse ia keni marrë biçikletën, se ky fëmijë i vogël ka ardhë tu qajtë e e keni traumatizu, e kështu”.

Sipas tij, sulmi ka ardhur fillimisht nga ata, ndërsa thotë se ka qenë fat që vet ka qëlluar në vendin e ngjarjes për ta parandaluar, siç thotë, një tragjedi më të madhe.

“Ata na kanë sulmu. E unë jam ai që kam nda edhe nuk e kam lënë me u bë më e madhe. Edhe fati që kam qëllu unë, se unë nuk jam i përfshirë në asnjë mënyrë në konflikt. Ka pasë goditje ndërmjet atyre djemve dhe djalit tim. E unë në asnjë mënyrë s’kam qenë i përfshirë. Unë jam veç ai që e kam pengu për me u bë një tragjedi më e madhe”, ka thënë Thaçi për Gazetën Sinjali.

“Normalisht aty ka pasë goditje, mirëpo unë veç sa kam mund kam nda edhe kam intervenu duke ua tërheq vërejtjen. Mosni more djemë se fëmijë, edhe çka është puna e juaj kështu”, është shprehur ai. “Ama ata nën ndikim droge o vëlla.. Të droguar, dmth me shiringua duke u.. kështu”.

Thaçi ka pohuar se djali i tij është ndaluar për 48 orë, ndërsa ka treguar se edhe ai vetë është intervistuar për ngjarjen.

“Po, djali është ndalu, është në ndalim. Unë jam intervistu. Njëjtë, këto fjalë, unë s’kam pasë tjera”, ka thënë ai.

Ndalimin e djalit të Hajdin Thaçit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.

Paraprakisht për këtë ngjarje shkurtimisht është deklaruar prokurorja e rastit, Lumturije Vuçetaj, e cila i ka thënë Gazetës Sinjali se Hajdin Thaçi ka qenë i përfshirë në këtë rast.

“Po, është e vërtetë që ka qenë i involvuar”, ka thënë Vuçetaj. /Gazeta Sinjali/