Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e dytë, Drejtori i CIA-s William Burns tha të dielën se Presidenti rus Vladimir Putin ka vetëbesim të tepruar tek aftësia e ushtrisë ruse për ta detyruar gradualisht Ukrainën që të dorëzohet.
Gjatë një interviste televizive, Burns tha se kreu i shërbimeve ruse të zbulimit pati shpalosur gjatë një takimi në nëntor një ndjesi arrogance dhe krenarie të tepruar në të njëjtën linjë me vetë zotin Putin se “mundet ta shfrytëzojë kohën në favor të tij, se ai beson se mundet ta dërrmojë gradualisht Ukrainën, se mundet t’i lodhë aleatët evropianë, dhe se me kalimin e kohës do të zërë vend edhe një lodhje politike”.
Kjo bisedë, gjatë së cilës zoti Burns tha se paralajmëroi për pasoja në rast se Rusia do të përdorte një armë bërthamore në Ukrainë, ishte “shumë dekurajuese”, sipas tij.
Burns tha se mendon se zoti Putin është “shumë i vendosur” për ta vazhduar luftën, megjithë humbjet në radhët e ushtarëve, disavantazhet taktike dhe ekonomike, si dhe dëmin ndaj reputacionit të Rusisë./VOA
“Mendoj se Putini, në këto momente, ka vetëbesim të plotë tek aftësia e tij… për ta dëmtuar gradualisht Ukrainën”, tha Burns gjatë një interviste për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, që u transmetua të dielën. Burns tha se “në një moment të caktuar, atij do t’i duhet të përballet edhe me kostot në rritje, me arkivolë që do të kthehen në disa prej zonave më të varfëra të Rusisë”, zona nga ku ai tha se janë shumë prej rekrutëve që “përdoren si mish për top”.