image Drejtori i ATK-së deklarohet për rastin e inspektorëve që shkelën masat kundër COVID-19 në Gjakovë

Kosovë

Drejtori i ATK-së deklarohet për rastin e inspektorëve që shkelën masat kundër COVID-19 në Gjakovë

news image

Pjesëmarrës në një ndejë me shumë të ftuar në restorantin “Xeni Imperial” në Gjakovë, me muzikë, mish e pije, ishin edhe disa inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës. Veturat zyrtare të ATK-së u panë të parkuara në afërsi të restorantit, ndërsa sinjalizuesit e Gazetës Sinjali raportuan se inspektorët qëndruan në ndejë edhe pas orës 22:30, orar ky që me vendim të Qeverisë është i ndaluar të dilet nga shtëpia.

Për shkeljen e masave kundër përhapjes së COVID-19 nga ana e inspektorëve, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Ai tha se lidhur me ngjarjen nuk ka informacione, por pasi të denoncohet rasti do të ndërmerren masa.

“Ata janë jashtë orarit zyrtar unë nuk mundem me i përcjellë stafin se ku shkojnë mas orarit të rregullt të punës…Rasti duke u denoncu nga dikush, pastaj vijnë faktet dhe gjendja si ka ndodhur…Sigurisht se do të merren masa. Nuk kam informata për rastin”, tha Murtezaj për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka publikuar mbrëmë pamjet nga ndeja në Gjakovë, me ç’rast inspektorët shkelën rregullat kundër përhapjes së koronavirusit, anipse paguhen me taksat e qytetarëve për t’i zbatuar vendimet e Qeverisë. /Gazeta Sinjali/