image Drejtori i AKI-së punëson kundërligjshëm bashkëshorten e këshilltarit të Thaçit

Ekskluzive

Drejtori i AKI-së punëson kundërligjshëm bashkëshorten e këshilltarit të Thaçit

news image

Sindromi i punësimeve të kundërligjshme dhe me preferenca shpeshherë politike, e ka shoqëruar shtetin tonë në vazhdimësi, sidomos pas pavarësimit. Ka qenë dhe mbetet sfidë e patejkalueshme për shumë të rinj për të siguruar një vend pune në rast se nuk kanë përkrahje politike apo lidhje farefisnore, shkruan Gazeta Sinjali.

Pavarësisht presionit të jashtëm apo dëshirave të brendshme të menaxhmentit, institucionet e Kosovës janë të obliguara të respektojnë ligjshmërinë dhe të promovojnë punësime bazuar në parimin e meritokracisë. Këtë detyrim e ka edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, edhe pse gëzon status unik dhe mbrojtje ligjore të veçantë.

Mirëpo, raportimet e fundit të Gazetës Sinjali, kanë vënë në pah se ky institucion nuk ka arritur t’i bëjë ballë punësimeve preferenciale dhe në kundërshtim të ligjit.

Në mesin e të punësuarve në mënyrë preferenciale dhe në shkelje të ligjit nga drejtori i AKI-së, Kreshnik Gashi, Gazeta Sinjali mëson se është edhe bashkëshortja e këshilltarit politik të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Adil Behramajt, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda AKI-së, e njëjta është punësuar në muajin korrik të këtij viti në pozitën e asistentes administrative, veprim ky që përbën cenim flagrant të nenit 12, pika 12.2 të ligjit për AKI-në, i cili përcakton se: Shpalljet e vendeve të lira të punës në AKI i nënshtrohen konkurrencës së hapur dhe publikohen në shumë gazeta ditore që shpërndahen në Kosovë, me përshkrim të kërkesave të përgjithshme për pozitat në pajtim me ligjin në fuqi.

Gazeta Sinjali ka tentuar disa herë të marrë përgjigje nga AKI lidhur me këto punësime preferenciale dhe të kundërligjshme në këtë institucion, mirëpo këta të fundit kanë zgjedhur heshtjen përballë pyetjeve të dërguara përmes postës elektronike, së paku dy herë.

Përveç AKI-së, Gazeta Sinjali ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj, por edhe ky i fundit njëjtë si AKI-ja, ka zgjedhur heshtjen përballë raportimeve të gazetës.

Raportimi i Sinjalit nuk bëhet me qëllim të dëmtimit të imazhit të këtij institucioni, e as personave që punojnë në këtë agjenci me rëndësi të veçantë për shtetin, por kjo është bërë për të shpërfaqur këtë dukuri negative, që është prezente dhe në institucione të tjera, me shpresë se ata që mbikëqyrin këtë institucion do të bëjnë çdo gjë për të siguruar zbatimin e ligjshmërisë pavarësisht privilegjeve ligjore që gëzojnë.

Shënim: Për korrektësi ndaj zyrtares së punësuar dhe me qëllim të mbrojtjes së identitetit të saj përballë publikut, Gazeta Sinjali edhe pse disponon emrin e asistentes së punësuar në shkelje të nenit 12, pika 12.2, ka vendosur të mos e publikojë.

/GazetaSinjali/