image Drejtoresha e QKMF-së në Viti: Edhe 4 ditë jemi në vetizolim, s'kemi dashur ushqim nga komuna

Kosovë

Koronavirusi/ Drejtoresha e QKMF-së në Viti: Edhe 4 ditë jemi në vetizolim, s’kemi dashur ushqim nga komuna

news image

Gjithsej 17 punëtorë të personelit shëndetësor në Viti kanë kaluar 10 ditë të vetizolimit. Ata u mbyllën nëpër shtëpi pas konfirmimit të rastit të parë me koronavirus nga kjo komunë, e që ishte rasti i parë në Kosovë.

Në mesin e të izoluarve është edhe drejtoresha e QKMF-së në këtë komunë, doktoresha Vjollca Kadolli. Në një prononcim për Gazetën Sinjali, ajo ka thënë se të gjithë janë mirë dhe se do të qëndrojnë të izoluar edhe 4 ditë.

“Po ne jemi ende në vetizolim. Duhet të zbatojmë rekomandimin e 14 ditëshit. Kemi me qëndru edhe 4 ditë”, ka thënë ajo.

Fillimisht, atyre komuna u kishte sjellë ushqim, por tani, Kadolli thotë se nuk kanë dashur të marrin ushqim nga komuna, pasi që nuk kanë pasur nevojë. I vetmi që ende ushqehet nga autoritetet komunale është mjeku i cili e kishte kontrolluar fillimisht pacientin e parë me koronavirus.

“Në fillim na kanë sjellë ushqim, pastaj pasi kemi shku nëpër shtëpia s’kemi pranu vet – përpos atij që është në QKMF që i dërgojnë. Ne komplet të tjerët s’kemi dashtë me na furnizu, pasi jetojnë afër shtëpive të tyre, në shtëpi private që kanë qenë të pabanuara (pronarët jashtë shtetit), kurse disa janë në shtepitë e tyre në vetizolim”, ka thënë Kadolli.

Deri tani numri i rasteve me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 33, ndërsa dje është shënuar edhe viktima e parë nga kjo pandemi në vendin tonë.

Rasti i parë me koronavirus në Kosovë ishte një 77-vjeçar nga Vitia i cili kishte ardhë nga Italia. /Gazeta Sinjali/