Kryetari i Komisionit për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, Milovan Dreçun, ka thënë se shteti i tij i ka dorëzuar dosje Prokurorisë Speciale me seli në Hagë të Holandës.
“Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Rexhepit e Krasniqit në shumëçka është rezultat i veprimeve tona, për këtë ka shumë arsye. Së pari, në aktakuzë veprimtaria e UÇK-së terroriste është definuar si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’”, shtoi ai.
Përpos kësaj, gjatë një mbledhjeje në Beograd, të mbajtur të enjten, u shpalosën edhe detaje tjera.
“Ne vendosëm që të bëjmë krejt çka është e mundur në mbledhjen e dokumentacionit që i posedonin shërbimet dhe organet tona dhe që këto t’ia dorëzojmë Prokurorisë Speciale dhe që kjo të jetë presion i madh nga ana jonë që ata të bëjnë punën e tyre. Kështu askush nga PS-ja apo dikush tjetër nuk do të mund të na thoshte se nuk kemi dëshmi dhe se kishim me çka të punonim. Mendoj se në këtë ne ishim të suksesshëm,” theksoi Dreçun.
Ndërkohë, gjatë kësaj mbledhjeje, u prezantuan të dhënat e Grupit Punues, që u tha se mblodhi mbi 7 mijë dokumente e të cilat, sipas tyre, janë dëshmi për krimet ndaj serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve tjera në Kosovë në periudhën 1998-2000.