image Vaksinat Astra Zeneca arrijnë në Shqipëri, Rama thotë se mjekët e Kosovës do të vaksinohen në Kukës

Shqipëri

Vaksinat Astra Zeneca arrijnë në Shqipëri, Rama thotë se mjekët e Kosovës do të vaksinohen në Kukës

news image

Në Shqipëri kanë mbërritur sonte 38.400 dozat e para të vaksinës Astra Zeneca. Për të parë mbërritjen e vaksinës, në aeroportin “Nënë Tereza” ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se edhe 60 mijë doza të tjera vaksina anti-COVID pritet që të vijnë në prill, ndërsa një pjesë të tyre, sipas Ramës, do t’i ndahet Kosovës për t’i vaksinuar mjekët dhe infermierët në Kukës. 

“Edhe 60 mijë doza do mbërrijnë në muajin prill. Ideja është që të kemi vaksinim intensiv. Jemi gati, nga nesër që të organizohemi, bashkë me Kosovën, që t’ju japim mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID, që nga spitali i Prishtinës, të vijnë t’i marrin dozat në Kukës. I presim vëllazërisht. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë për të pasur dozat e para të vaksinës anti-COVID”, u shpreh Rama.

/GazetaSinjali/