Tetë ish-drejtues dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërrimi i moteve i gjen në paraburgim në Hagë. Për 7 nga ta, ky do të jetë Viti i Ri i dytë në Scheveningnen, si të akuzuar të Dhomave të Specializuara.
Bëhet fjalë për ish-drejtorin politik të UÇK-së dhe ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, ish-eprorin zonal në Gollak, Salih Mustafën, si edhe drejtuesit e veteranëve, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Ish-luftëtari Pjetër Shala u arrestua gjatë vitit 2021.
Mbi ta, në katër procese, rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si edhe për pengim të punës së Gjykatës Speciale.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, në një intervistë për Klankosova.tv ka përmbledhur të gjitha zhvillimet përgjatë vitit 2021, ndërsa ka dhënë detaje edhe për procedurat e lirimit me kusht dhe shënimit të festave në qendrën e paraburgimit.
Doyle tha se tetë të arrestuarit kanë pasur mbi 200 vizita në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Deri më tani janë bërë mbi 200 vizita të të paraburgosurve për të afërm dhe vizitorë të tjerë personale”, tha ai.