Gjykata Speciale mbrëmë publikoi vendimin e aktakuzës së plotë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljak, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.
Në pikën 371 të kësaj aktakuze, thuhet se mes datave 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin marrë nga burgu në Llapushnik 30 të të ndaluar, të cilët i dërguan në një pyll.
“Me të arritur në një pyll, pjesëtarë të UÇK-së kanë liruar 20 të burgosurit nga ky grup prej 30 personash dhe kanë qëlluar ndaj 10 të tjerëve me AK-47”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.
Vendimi për konfirmim të aktakuzës sipas dokumentit është marrë më 26 tetor të këtij viti, mirëpo është publikuar më 30 nëntor.