Dogana e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në pesë barnatore në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Bastisja e barnatoreve u bë pas dyshimit se ato posedojnë barna të kontrabanduara.
Me këtë rast, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tha për Gazetën Sinjali se në to është gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave të cilat dyshohet se janë kontrabanduar.
“Sot më 19/01/2021, Dogana e Kosovës me qëllim të zbatimit të ligjit, luftimit të Kontrabandës dhe ekonomisë informale, si dhe mbrojtjes së shëndetit ka organizuar kontrolle në 5 barnatore të ndryshme ku është gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave të dyshimta si të kontrabanduara”, tha Stavileci.
Me këtë rast dhe me të gjeturat, Stavileci tha se është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe tashmë kontrolli është duke u zhvilluar me mandat të prokurorisë dhe gjykatës dhe është zgjeruar edhe në objektet përcjellëse të këtyre barnatoreve.
Ai tha se kontrolli është duke u zhvilluar akoma./Gazeta Sinjali/