image Dodik: Bosnja duhet të qëndrojë krejtësisht neutrale ndaj zhvillimeve në Ukrainë

Botë

Dodik: Bosnja duhet të qëndrojë krejtësisht neutrale ndaj zhvillimeve në Ukrainë

news image

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, tha më 22 shkurt se ky shtet duhet të qëndrojë “krejtësisht neutral” sa i përket zhvillimeve në Ukrainë.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin njohu pavarësinë e dy rajoneve separatiste Donjeck dhe Luhansk në lindje të Ukrainës, dhe miratoi dërgimin e trupave ruse në atë zonë.

Dodik komentoi deklaratat e dy anëtarëve të tjerë të Presidencës të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Shefiq Xhaferoviq që dënuan sulmin rus ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Dodik tha se ata kanë keqpërdorur situatën.

“Ky nuk është qëndrimi i Bosnje e Hercegovinës. Presidenca është përgjegjëse për drejtimin e politikës së jashtme. Ata në këtë mënyrë po vazhdojnë ta përçajnë Bosnjën, të dalin nga organet zyrtare. Qëndrimi i tyre mund të konsiderohet si qëndrim privat”, tha Dodik.

Sipas tij, gjëja më realiste që mund të pritet nga Bosnje e Hercegovina në këto momente është që të qëndrojë neutrale.

“Që të gjithë kemi simpatitë tona, nëse dëshironi unë mund të flas për simpatitë e mia personale, por mendoj se është e panevojshme që ta bëj tani. Fakti që Komshiq dhe Xhaferoviq u rreshtuan flet se nuk iu intereson Bosnje e Hercegovina dhe nuk e përfaqësojnë atë”.

/GazetaSinjali/