image “Do të ketë presion mbi Kurtin që të rifillojë negociatat me Serbinë”

Politikë

“Do të ketë presion mbi Kurtin që të rifillojë negociatat me Serbinë”

news image

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë dialogun me Serbinë pa vendosur parakushte.

Kështu mendon Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, i cili tha se nuk është optimist për ndonjë rezultat të shpejtë në dialog, për shkak të pozicionit aktual të palëve. Madje, thotë se bazuar në situatën e tanishme, ekziston mundësia që dialogu të zgjasë pa fund, siç po ndodh në rastin e Qipros apo mes izraelitëve dhe palestinezëve.

“Pyetja është nëse do të ketë dialog. Mendoj se ka presion në (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin dhe në Serbinë që të rifillojnë negociatat. Mendoj se ka mundësi që të mbahen prapë, por nuk jam shumë optimist për rezultatin që mund të prodhojnë. Në fakt, Kurti ka ulur nivelin e pritjes, pasi ka sugjeruar se nuk është realiste të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare, por të ketë fokusim në çështje siç është tema e të pagjeturve. Mendoj se ky është një drejtim ku mund të bëhet një lloj përparimi, por duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e mospajtimeve mes dy palëve, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të lëvizet përpara në çështje më thelbësore”, tha Caplan për Radio Evropa e Lirë.

Ai shtoi se duke e ditur pozicionin e Kurtit dhe të partisë së tij, nuk është i befasuar në parimet që kanë.

Ai iu thotë parime, por në të vërtetë ato janë parakushte. Unë mendoj se ju duhet të shkoni në dialog pa parakushte. Mendoj se është e rëndësishme që të fillohet, të ketë bisedime dhe dialog. Këto parakushte nuk do të plotësohen nga ana e Serbisë, pasi ky vend nuk do të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ashtu siç ka kërkuar Kurti”, shtoi tutje.

Caplan ka folur edhe për pasojat që mund të dalin për të dyja vendet nëse nuk angazhohen në dialog.

“Është ngecje dhe mendoj se kjo situatë mund të zgjasë pafund. Ju keni shembuj të situatave të tilla, për shembull negociatat në Qipro mes qipriotëve turq dhe atyre grekë. Negociatat e tyre po zgjasin me dekada. Pastaj, negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat gjithashtu po zgjasin me dekada. Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe ky dialog (Kosovë-Serbi) të zgjasë pafundësisht në të ardhmen. Megjithatë, mendoj se dallimi në këtë rast është se do të ketë shumë presion ndaj palëve që të shënojnë përparim. Një aspekt për të cilin të gjithë shpresojnë se mund të bëjë dallimin është anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kushti ndaj saj që të normalizojë marrëdhënien me Kosovën. Kjo mund të ishte një pikë kthese. Por, për momentin kur shikoj të ardhmen, nuk jam shumë optimist”, tha tutje ai.

Caplan mendon se do të ketë shumë presion ndaj Kurtit të tërhiqet nga kushtet sepse këto janë kushte të reja, nuk janë vënë më parë nga liderët e Kosovës për të zhvilluar dialogun me Serbinë.

“Pra, po mendoj se do të ketë presion ndaj Kurtit nga ana e Bashkimit Evropian dhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden që të vazhdojë dialogun pa parakushte. Unë mendoj se kordinimi më i mirë do të jetë rezultat i këtij bashkëpunimi. Nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm ndërmjet administratës së ish-presidentit, Donald Trump dhe Bashkimit Evropian. Në disa aspekte administrata e Trumpit ka vepruar njëanshëm – por jo kundër – objektivave dhe qëllimeve të Bashkimit Evropian. Mendoj se administrata Biden do të jetë më e ndjeshme në kuptim të rëndësisë së koordinimit. Megjithatë, dallimi qëndron në faktin se kjo çështje nuk është me prioritet të lartë për administratën e Bidenit, por mbetet e rëndësishme. Administrata amerikane tashmë ka sinjalizuar se për të kjo çështje është e rëndësishme që të zgjidhet”, shtoi tutje Caplan. /Gazeta Sinjali/