Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” dha sot vlerësimin e saj për fushatën elektorale për zgjedhjet që do të mbahen nesër.
DnV vlerëson se fushata zyrtare pesë ditore, e përcaktuar nga KQZ-ja për rundin e dytë të zgjedhjeve, ishte përmbyllje e aktiviteteve nga subjektet politike, që sipas tyre nuk e kishin ndërprerë fushatën që nga shpallja e rezultateve për kryetarë komunash.
Në një konferencë për media të organizuar nga DnV, Eugen Cakolli ka thënë se derisa është zhvilluar fushata zgjedhore janë shkelur masat antiCOVID.
“Aktivitetet e kandidatëve nëpër komuna, qofshin në hapësira të mbyllura apo të hapura, në masë të madhe janë zhvilluar në shkelje flagrante të të gjitha masave antiCOVID. Organizimi i tubimeve me numër shumëfish më të lartë të pjesëmarrësve se që është e lejuar, mos bartja e maskave dhe mungesa e distancës janë evidentuar në pothuajse të gjitha aktivitetet e organizuara. Mungesa e kontrolleve sistematike e rutinore nga Policia e Kosovës dhe AUV-i, si dhe gjobat e pamjaftueshme nga këto institucione – kryesisht në vlera minimale – kanë bërë që takime të tilla të zhvillohen lirshëm gjithandej nëpër komuna, e posaçërisht gjatë ditëve të fundit ku numri i pjesëmarrësve në aktivitete varionte nga qindra deri në mijëra sosh”, ka thënë Cakolli.
Sipas tij, edhe në rastet kur vet KQZ-ja ka raportuar për organizim të tubimeve në kundërshtim me masat fuqi, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore, pa anashkaluar sipas tij, faktin që shumica e këtyre tubimeve kanë qenë publike apo të njëjtat janë reklamuar nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre.
“Po ashtu, një numër i madh i aktiviteteve janë zhvilluar edhe në hapësirat e shkollave të ndryshme nëpër komuna, madje në raste të caktuara edhe brenda ndërtesave, që paraqet shkelje të vendimit të MASHT-it lidhur me këtë çështje”, ka thënë ndër të tjera Cakolli.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë nesër si dhe tregoi që DnV do të ketë 90 vëzhgues për monitorim të procesit zgjedhor. /GazetaSinjali/