Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se është duke vëzhguar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të bazuar në Numërimin Paralel të Votave, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas DnV-së, 3 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë për arsye se kishte mungesë të materialeve zgjedhore.
“Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2382 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesat kryesisht ndërlidhen me mungesën e materialeve zgjedhore si: mungesa e zarfeve të fletëvotimeve me kusht në 6% të vendvotimeve, vulat, Lista e Votuesve, UV llampa, si dhe Spreji kanë munguar në 3% të vendvotimeve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Po ashtu, DnV ka raportuar se sa i përket qasjes së personave me aftësi të kufizuar, 30 për qind e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate.
Kurse, bëhet e ditur se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime është 31 për qind më e ulët se në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2019 që ishte 35 për qind./Gazeta Sinjali/