image Dje e publikoi marrëveshjen sekrete, sot Kurti takohet me komandantin e KFOR-it

Politikë/ Dje e publikoi marrëveshjen sekrete, sot Kurti takohet me komandantin e KFOR-it

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Michele Risi. Ky takim u paralajmëru nga Kurti gjatë konferencës së djeshme për media, kur kryeministri publikoi një marrëveshje sekrete mes Hashim Thaçit, aso kohe kryeministër dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Komandantin e NATO-s, e takoi gjatë ditës së djeshme edhe kryeparlementarja, Vjosa Osmani, e cila tha se publikimi i kësaj marrëveshje nuk duhet të shihet si sulm ndaj NATO-s, kontributin e të cilës thotë se e vlerëson.

“Respektimi i Kushtetutës së Kosovës është obligim i të gjithëve, siç është edhe ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me partnerët tanë strategjikë. Në takimin e sotëm me komandantin e KFOR-it, kam vlerësuar kontributin e kësaj force dhe të NATO-s në 20-vjet të angazhimit të saj për një Kosovë të sigurt dhe e kam siguruar që mbesim të përkushtuar për një bashkëpunim të thellë. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes i yni shtetëror. Kërkesat që secili institucion në Kosovë të respektojë Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s, por përkundrazi, si avansim të demokracisë e transparencës dhe respektimit të ligjit e kushtetutës në vend”, ka shkruar mbrëmë Osmani në Facebook.

Kryekuvendarja ishte e para që u informuar për këtë marrëveshje përmes një shkrese zyrtare nga kryeministri Kurti.

Në letrën e Kurtit drejtuar Osmanit thuhet se “përmes kësaj marrëveshje, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”.

Kurti ka deklaruar se pas pranimit zyrtar të detyrës së kryeministrit “ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 (Bartja e Sovranitetit), nenin 18 (Ratifikimi i Marrëveshjeve)./Gazeta Sinjali/