Në të ardhmen nuk i dihet, por për momentin kombëtarja e Shqipërisë e ka humbur shansin për të patur një tjetër Vata. Ndoshta nuk do të ketë të njëjtën karrierë si babai Rudi, por fakti që grumbullohet nga përfaqësuesja U-15 e Irlandës do të thotë diçka. Rocco Vata, djali i ish-futbollistit dhe kapitenit të Shqipërisë pritet të debutojë me kombëtaren irlandeze.
Federata e saj përfitoi nga origjina e mamasë së tij, An Frensis për ta ftuar 14-vjeçarin që është pjesë e akademisë së klubit gjigant të futbollit skocez, Celtic.
Kjo zgjedhje e djalit sigurisht që e bën krenar Rudi Vatën, por nga ana tjetër le një shije zhgënjimi tek ai, pasi askush në Federatën e Shqipërisë nuk u interesua për të.
“Njerëzit në Shqipëri e dinë përmes rrjeteve sociale se ai është zgjedhur nga Irlanda. Por nëse Shqipëria do të kishte qenë profesioniste, të tregonte ndonjë interes dhe të bënte detyrat e shtëpisë, ata do ta kishin ditur që Roccoo po luante për Celtic dhe do të kishin kontaktuar me mua. Ata nuk treguan asnjë lloj respekti, dëshire apo profesionalizmi dhe nëse nuk e bëjnë këtë, ai kurrë nuk do të luajë për Shqipërinë”, ka thënë Vata në një intervistë për të përditëshmen “Scottish Sun”, duke lënë gjithsesi të hapur derën për të ardhmen.