image Djali i Hashim Thaçit ka një letër për qytetarët e Kosovës

Kosovë

Djali i Hashim Thaçit ka një letër për qytetarët e Kosovës

news image

Familja e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidarizimin me ta në këto ditë jo të lehta.

Djali i ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi, përmes një deklarate që u është dërguar mediave, ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen dhe interesimin e pareshtur që qytetarët po tregojnë për ish-presidentin Thaçi.

Kjo është deklarata e plotë e Endrit Thaçit, djalit të ish-presidentit Thaçi:

Qytetarë të nderuar, familjarë të dashur,

Në emër të familjes Thaçi ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe solidarizimin tuaj në këto ditë jo të lehta për familjen tonë.

U jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe dhe interesimin e pareshtur që keni treguar dhe po vazhdoni të tregoni për babain tim, themeluesin e UÇK-së, presidentin e vendit tonë.

Të gjithë jemi të indinjuar e të mërzitur, por edhe shumë të bindur se ashtu siç ka punuar dhe ka ditur ta mbrojë përherë luftën e UÇK-së, popullin dhe shtetin tonë, së bashku me bashkëluftëtarët e tij do të dijë ta mbrojë edhe tash përballë këtyre akuzave monstruoze që padrejtësisht po rëndojnë mbi ta.

Asnjë proces nuk do të mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte dhe do të mbetet përjetësisht e shenjtë.

Familja jonë është shumë krenare me kontributin në këto tri dekada të birit, vëllait, bashkëshortit dhe babait tonë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

Besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe jemi të bindur se asnjë pretendim, sado dashakeq që mund të jetë, nuk mund ta ndryshojë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të qëndrojmë të fortë dhe të unifikuar!

Do të dëshironim që t’ju prisnim të gjithëve në shtëpinë tonë dhe t’i themi secilit prej jush faleminderit nga zemra. Jemi të nderuar me përkrahjen tuaj, me fjalë dhe vizita. Por, dëshirojmë t’ju lusim që edhe në këto ditë, në këto momente, të kujdesemi për shëndetin dhe të mos lejojmë që të përhapet edhe më shumë pandemia COVID-19. Do të vijë përsëri koha që të takohemi së bashku.

Ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve!

Mirupafshim së shpejti!

Me shumë respekt,

Endrit H. Thaçi

/Gazeta Sinjali/