image Djali i eprorit të Policisë kapet me pajisje të sofistikuara për kopjim në provimin për ligjërues në autoshkollë

Siguri

Djali i eprorit të Policisë kapet me pajisje të sofistikuara për kopjim në provimin për ligjërues në autoshkollë

news image

Ilir Aliu, i biri i eprorit të Policisë së Kosovës, kapiten R.A. (emër i njohur për redaksinë), është kapur duke kopjuar me pajisje të sofistikuara në provimin për licencim si ligjërues në autoshkollë, të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës, më 12 maj të këtij viti, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali nga burimet brenda prokurorisë merr vesh se Iliri, i cili është ligjërues në autoshkollën “Andi” kishte vendosur në vesh pajisje telefonike për kopjim gjatë provimit.

Gjatë procesit të testimit, ai është vërejtur nga Komisioni për mbikëqyrje profesionale, i përbërë nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Anëtarët e këtij komisioni kanë reaguar menjëherë duke e nxjerrë Ilirin nga provimi.

Ata po ashtu kanë lajmëruar zyrtarët policorë që të merren me rastin.

FOTO ILUSTRIM: Ilir Aliu vendosi në vesh pajisje të ngjashme me pajisjen e rrethuar në foto

Sinjali mëson se i dyshuari e ka pranuar para hetuesve policorë se kishte të vendosur në vesh pajisje komunikimi, të cilat janë të ndaluar në sallën e testit.

Mirëpo, përkundër kësaj, burimet e Sinjalit bëjnë të ditur, se prokurorja e rastit, Arbëresha Shala, ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale.

Andaj, sipas saj, nuk mund të hapet rast penale në lidhje me këtë çështje.

Ky nuk është rasti i parë që kandidatë të ndryshëm kapen duke kopjuar me pajisje të tilla.

Gazeta Sinjali pati raportuar për arrestimin e të dyshuarve për kopjime të kësaj natyre, qysh nga dhjetori i vitit të kaluar.

Rastet e shpeshta të kësaj metode të sofistikuar të kopjimit nxisin dyshime se prapa tyre qëndrojnë grupe të organizuara, të cilat pajisen kandidatët me pajisje të tilla dhe gjejnë personat që mund t’ua diktojnë atyre përgjigjet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/