Dita e Ujit të Bekuar, ç’ka presupozon pagëzimin e Jezus Krishtit, festohet sot në të gjithë Shqipërinë. Data 6 Janar njihet në kalendarin fetar si dita e bekimit nga zoti i ujërave në të gjithë botën.
Sipas Biblës në këtë datë kremtohet pagëzimi i Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan nga Gjon Pagëzori. Riti kryesor është hedhja e kryqit në ujë dhe personi që e kap thuhet të ketë fat gjatë gjithë jetës.
Në Durrës kryqin e kapi 16-vjeçari, Vasil Aleksi. I riu ia dedikoi xhaxhait kryqin.
“Më ndihmoi Zoti të kapja kryqin. Ja dedikoj xhaxhait tim që është larguar nga kjo jetë. Uroj një vit sa më të mbarë”, tha i riu.
Në Berat, 22-vjeçari Andra Baruta ishte “fituesi” që arriti të kapet kryqin. “Shëndet dhe vit të mbarë të kemi të gjithë”, tha i riu.
I riu Vasil Tapija kapi kryqin në Beart, ai tha se është viti i katërt që hidhet në lum për kryqin dhe hera e parë që e kap.
Ai u shpreh i lumtur, ndërsa uroi të gjithë besimtarët në këtë ditë të bekuar.
Çfarë është dita e Ujit të Bekuar ose ndryshe Epifania
Epifania është festa e Ujit të Bekuar kremtuar në 6 janar në shumë vende është zakon që Bekimi i Ujit të bëhet në det, lumë, liqen apo në ndonjë pellg uji. Kur nuk është mundësia, bekimi bëhet në kishë
Fillimisht ishte vetëm një festë e “shfaqjes së Perëndisë” në botë, në formë njerëzore. Ajo përfshinte kremtimin e Lindjes së Krishtit, adhurimin e Magëve dhe gjithë ngjarjet e fëmijërisë, si rrethprerjen dhe paraqitjen në Tempull, si edhe pagëzimin prej Joanit në Jordan. Nuk ka dyshim, që kjo festë, si edhe Pashka dhe Rushajet, u kuptua si përmbushja e një feste të mëparshme judaike, në këtë rast, Festa e Dritave.
Tradita popullore
Disa njerëz mendojnë se bekimi i ujit dhe praktika e pirjes dhe spërkatjes me të është një “paganizëm”, i cili ka hyrë gabimisht në Kishën e Krishterë. Por, ne e dimë se ky ritual praktikohej nga Populli i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe se në Kishën e Krishterë ka një kuptim shumë të rëndësishëm dhe të veçantë. Të krishterët besojnë se qysh kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në atë, u la prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve. Në epifaninë e Zotit i gjithë krijimi bëhet përsëri i mirë, me të vërtetë “shumë i mirë”, ashtu siç vetë Perëndia e shpalli atë në fillim, kur “Shpirti i Perëndisë vërtitej mbi faqen e ujrave” (Gjeneza 1:2) dhe kur “Fryma e Jetës” u fry në njeriun dhe në gjithçka që bëri Perëndia (Gjeneza 1:30; 2:7). Kështu, shenjtërimi dhe spërkatja me ujin e Epifanisë nuk është një ritual pagan. Por, është shprehja e faktit më qendror të vizionit të krishterë për njeriun, si dhe për jetën dhe botën e tij. Kjo është dëshmia liturgjike, që na tregon se vokacioni dhe destinimi i krijimit është, që të jetë i “mbushur me tërë plotësinë e Perëndisë.