image Dita e nëntë e grevës së minatorëve, Shala: Qeveria t’i plotesojë menjëherë kërkesat e tyre

Politikë

Dita e nëntë e grevës së minatorëve, Shala: Qeveria t’i plotesojë menjëherë kërkesat e tyre

news image

Minatorët e minierës së Trepçës sot kanë nisur ditën e nëntë të grevës për shkak të kushteve jo të mira të punës dhe pagave të parregullta.

Ata nuk do ta ndalin grevën deri në plotësimin e kushteve konfirmon kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës.

“Po, do vazhdojë greva deri në realizimin e kërkesave nga minatorët”, tha kryesindikalisti Ibrahim Januzi për Gazetën Sinjali.

Minatorët e Mitrovicës tash e nëntë ditë janë në grevë dhe po kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, paga të rregullta, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kërkuar që kërkesat e minatorëve të realizohen mënjëherë.

“Qeveria duhet që menjëherë t’i plotesojë kërkesat e tyre”, tha Shala për Gazetën Sinjali.

Ai është zotuar se partia e tij është në mënbështetje të plotë të minatorëve.

“Jemi në mbështetje të tyre dhe kërkesave për përmisimin e kushteve të punës dhe pagave”, deklaroi Shala për Gazetën Sinjali.

Shala ka thënë se askush nga institucionet nuk i ka vizituar minatorët e Trepçës që janë në grevë.

“Ku është Qeveria sot kur minatorët janë në grevë. Asnjë nga institucionet e shtetit nuk i ka vizituar, askush nuk është marrë me ta, asnjë komunikatë zyrtare asnjë raport human sepse janë nën tokë. Pse Qeveria frikësohet të komunikojë me minatorët, kujt po i frikësohet apo është e vetëdijshme se i ka mashtruar keq dhe thellë? I ka mashtruar Qeveria sepse iu ka premtuar investime, zhvillim, rivitalizim, investime në teknologji dhe siguri në punë. Por, asnjë nga këto nuk i përmbajti”, tha Shala, shkruan Gazeta Sinjali.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë se Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. Nga minierat e Trepçës atë kohë janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Me rreth 20.000 punëtorë, është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Sot i ka rreth 700 minatorë.

Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça, sot punojnë në kushte të rrezikshme për punë. Krahas shumë problemeve dhe mungesës së sigurisë, makineritë e vjetra mbi 50 vjet janë shqetësim i madh.

Produktet kryesore, të cilat i prodhon Trepça janë: koncentrati i plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve tjera.

/GazetaSinjali/