image “Arritëm marrëveshje, por nuk morëm asgjë” – çka ndodhi mbrëmë në negociatat e Sindikatës së Trepçës me deputetët e pushtetit?

Sociale

“Arritëm marrëveshje, por nuk morëm asgjë” – çka ndodhi mbrëmë në negociatat e Sindikatës së Trepçës me deputetët e pushtetit?

news image

Brenda zyrës së Sindikatës së minatorëve të Trepçës mbrëmë në orët e vona është zhvilluar një takim mes kryesisë së sindikatës dhe disa deputetëve të pushtetit. Por, a u arrit ndonjë marrëveshje në negociatat e gjata?

“Në fund patëm një takim ku nuk morëm asgjë”, pa sukses përfunduan negociatat e gjata të ditës së djeshme ndërmjet Sindikatës së Trepçës dhe deputetëve të pushtetit.

Kështu konfimroi këtë mëngjes për Gazetën Sinjali, Ibrahim Januzi, kryesindikalisti i minatorëve të “Trepçës” në minierën e “Stantërgut”.

Ai tha se nuk arritën të marrin vendimin për realizimin e kërkesave, pavarësisht se fillimisht u pajtuan që ato të realizoheshin nga Qeveria e Albin Kurtit.

“Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi arritëm me deputetët e pozites marrveshje që të realizohen kërkesat e minatorëve”, tha Januzi për Gazetën Sinjali, i cili zbuloi se pavarësisht bisedimeve në fund nuk morën atë që dëshën.

Kështu tha kryesindikalisti Januzi pas takimit që është mbajtur mbrëmë në zyrat e Sindikatës me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e që ishin Armend Muja, Arjeta Fejza, Halil Thaçi, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë.

Ky takim erdhi pas atij që gjatë ditës patën sindikalistët e minatorëve me deputetët të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të Ministrisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Minatorët e Mitrovicës tash e nëntë ditë janë në grevë dhe po kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, paga të rregullta, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Menaxhmenti i Minierës së Trepçëska marrë vendim që t’ua ndalojë mëditjet e rregullta dhe pagesën për shujtë të gjithë minatorëve që janë në grevë.

Pagesat e ndaluara do të llogariten nga data e fillimit të grevës, më 24 tetor.

Në arsyetim të vendimit, menaxhmenti i Trepçës thotë se punonjësit e kanë bojkotuar punën pa paralajmërim, shkruan Gazeta Sinjali.

Dy ditë më parë ky menaxhment ka suspenduar nga puna Kryetarin e Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Januzin, nënkryetarin Destan Kërleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani, Fevzi Ademi dhe minatorin Esat Meha, me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.

Ndryshe, këtë mëngjes nddërmarrja “Trepça” ka thënë se minatorët në Artanë dhe Kishnicë kanë ndërprerë grevën e nisur që disa ditë.

“Minatorët e Artanë dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës. Vendim i mençur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës”, thuhet në njoftim të “Trepçës”, shkruan Gazeta Sinjali.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë se Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. Nga minierat e Trepçës atë kohë janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Me rreth 20.000 punëtorë, është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Sot i ka rreth 700 minatorë.

Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça, sot punojnë në kushte të rrezikshme për punë. Krahas shumë problemeve dhe mungesës së sigurisë, makineritë e vjetra mbi 50 vjet janë shqetësim i madh.

Produktet kryesore, të cilat i prodhon Trepça janë: koncentrati i plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve tjera.

/GazetaSinjali/