1 tetori është përcaktuar si ditë e respektit global për të moshuarit. Ky vendim është marrë me 14 dhjetor 1990 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Në disa vende të botës, në këtë ditë politikanët mbajnë fjalime veçanërisht ata përgjegjës të departamenteve qeveritare që përqendrohen tek të moshuarit.
Organizohen aktivitete të fokusuara në mjedis, shëndetësi, arsim apo shërbime komunitare në respekt të moshës së tretë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila është autoriteti drejtues dhe koordinues i OKB-së për çështjet e lidhura me shëndetin, ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në promovimin e ndërgjegjësimit të publikut për këtë ditë.
Diskutimet janë përqendruar në tema të tilla si: plakja e popullsisë dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor për personat e kësaj moshe, puna vullnetare, kujdesi social dhe mënyrat që të jenë më përfshirëse për personat e moshuar në fuqinë punëtore.
Në vitin 2002 Asambleja e dytë Botërore mbi plakjen në Madrid miratoi Planin e Veprimit Ndërkombëtar për Plakjen për t’iu përgjigjur mundësive dhe sfidave të plakjes së popullsisë në shekullin e 21-të dhe për të nxitur zhvillimin e një shoqërie për të gjitha moshat./ Gazeta Sinjali /