image Disa shqiptarë i rrahin 4 serbë në Obiliq, Gjuriq nxiton për ta politizuar ngjarjen

Kosovë

Disa shqiptarë i rrahin 4 serbë në Obiliq, Gjuriq nxiton për ta politizuar ngjarjen

news image

Me titullin “Shqiptarët sulmojnë serbët”, mediat në Serbi kanë raportuar se disa shqiptarë i kanë sulmuar disa të rinj serbë në fshatin Babimoc të Obliqit mbrëmë para mesnatës.

Për këtë ka raportuar edhe Radio Televizioni i Serbisë, duke thënë se të rinjtë serbë pësuan lëndime trupore nga, siç thonë, sulmi i një grupi shqiptarësh, transmeton Gazeta Sinjali.

Sulmi ndodhi mbrëmë rreth orës 22, kur katër nxënës serbë të shkollës së mesme po lëviznin nëpër fshat dhe u ndeshën me një grup prej gjashtë shqiptarësh nga i njëjti fshat, shkruan RTS

Prindërit e njërit prej të rinjve të plagosur nga familja Slaviq raportuan se sulmi ndodhi pa ndonjë arsye dhe se djali i tyre pësoi dëmtime në kokë dhe trup nga rrahjet.

“Së pari, ata i sulmuan të rinjtë në rrugën e fshatit dhe pastaj ata vazhduan me sulmin kur fëmijët tanë filluan të iknin drejt shtëpive fqinje, me qëllim që të strehohen. Ata u kapën me ta dhe i goditën në kokë, në stomak dhe në gjoks. Ata u kanë shkaktuar lëndime dhe mjekët do të përcaktojnë shkallën e tyre”, citohet të kenë thënë prindërit e njërit prej të lënduarve.

Të gjithë të rinjtë e sulmuar u ekzaminuan në ambulancën lokale, nga e cila iu kërkua ekzaminime të hollësishme në spitalin e Mitrovicës.

“Sonte, gjysmë ore pas mesnatës u sollën katër persona nga Babmoci. Ata u ekzaminuan në bazë ambulatore. Kishin të nxira në kokë dhe trup, e pas ekzaminimit dhe diagnozës, të gjithë u liruan për në shtëpi”, citohet të ketë thënë mjeku Ljubisha Millosheviq.

Familjet e të lënduarve e raportuan sulmin në Polici, e cila hapi rast.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, e ka konfirmuar rastin për Gazetën Sinjali, ndërsa ka theksuar se ai është cilësuar si lëndim i lehtë trupor.

“Kemi të bëjmë me katër serbë dhe gjashtë shqiptarë që kanë qenë të përfshirë. Janë të gjithë të të njëjtit fshat këta që kanë qenë të përfshirë në këtë incident. Policia ka shku menjëherë në vendin e ngjarjes, i ka gjetë ata katër serbët, viktimat. Ata e kanë bërë një kontrollë mjekësore dhe mjeku ka vlerësu lëndime të lehta trupore dhe janë liru”, ka thënë Hoxha.

Rasti është përfshirë edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovë, ndërsa zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha ka thënë për Sinjalin se viktimave iu kanë referuar si kosovarë, sepse, siç ka thënë ai, ata janë shtetas të Kosovës.

“Fsh. Babimoc, Obiliq, 29.08.2020 – 22:30. Katër viktima meshkuj kosovarë kanë raportuar se derisa ishin duke ecur në rrugën kryesore të fshatit, janë sulmuar nga gjashtë persona kosovarë, që sipas tyre janë të njohur për ta pasi jetojnë në të njëjtin fshat. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe janë liruar në shtëpi. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ” lëndim i lehtë trupor” dhe rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Për këtë rast ka reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë për RTS-në se sulmi në Babimoc është shprehje e urrejtjes politike e udhëhequr nga politikanë të caktuar nga Prishtina.

Ai ka deklaruar se sulmi nuk ishte i izoluar, as nuk ishte i pari, dhe se Policia nuk i ndëshkoi ata që ishin përgjegjës për serinë e incidenteve.

Gjuqi deklaroi se Babimoci është një fshat i vendosur në një vend strategjikisht të rëndësishëm ndërmjet Prishtinës dhe Mitrovicës dhe se “qëllimi i dukshëm është t’i frikësojnë Serbët dhe t’i detyrojnë të largohen”.

Ai ka kërkuar që KFOR-i të vendosë prani statike në atë vend.

Ndërkaq, mediat serbe kanë publikuar edhe fotografi të të rinjve të lënduar nga kjo ngjarje. /Gazeta Sinjali