image Disa shërbime janë pezulluar në Veri një javë nga vendimi i serbëve për largim nga institucionet

Politikë

Disa shërbime janë pezulluar në Veri një javë nga vendimi i serbëve për largim nga institucionet

news image

Zëvendëskryesuesi i Asamblesë Komunale në veri të Mitrovicës, Skënder Sadiku thotë se qytetarët në këtë zonë janë në panik për shkak se në disa institucione janë ndërprerë shërbimet për ta.

Sadiku tejet shqetësuese e sheh mbylljen e Qendrës për Punë Sociale dhe dorëheqjen e zjarrfikësve në veri të vendit, që sipas tij po ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

Ikballe Sylejmani, një qytetare në veri të Mitrovicës e cila i është drejtuar Qendrës për Punë Sociale atje për të kompletuar dokumentacionin e saj, i cili i siguron ndihmën sociale prej 70 eurosh, është kthyer prapa nga zyrtarët duke i thënë se nuk mund t’i ofrojnë shërbime.

Kështu tregon asamblisti Skënder Sadiku i cili thotë se tani asaj po i rrezikohet edhe ajo pak ndihmë që e ka marrë deri tani. E sipas tij, ky nuk është rasti i vetëm kur qytetarët po pësojnë nga vendimi i serbëve për largim nga të gjithë institucionet.

Megjithatë, Sadiku thotë se situata në veri të vendit është e qetë por larg normalitetit.

“Qytetarja Ikballe Sylejmani e cila deri më datë 8 e ka mbledhur dokumentacionin ta dorëzojë, ishte ditë e hënë kur zyrtarët, pasi në kuadër të komunës janë edhe zyrat për çështje sociale, zyrtari i ka thënë që i duhet një dokument, kur ka shkuar të martën e ka gjetur të mbyllur dhe zyrtari i cili është nga komuniteti serb i ka thënë ‘na vjen keq por tash e tutje nuk do të mund t’i ofrojmë shërbimet’ dhe ajo veç është në panik.

Mund ta paramendoni kur një 70 euro ndihmë sociale dhe ajo i rrezikohet, nuk ka për barna.

Qytetarit tjetër Xhevat Nuhi i është djegur shtëpia që nëntë muaj dhe nuk kemi qenë në gjendje t’i ndihmojmë si institucion komunal. Ka shkuar lënda në qeveri, është pritur, sa kam pasur njohuri është  aprovuar mirëpo është e rrezikuar që atij qytetari të mos i kryhet shtëpia dhe ta zë dimri jashtë”, thotë Sadiku në një bisedë për KosovaPress.

Saktësisht një javë më parë, më 5 nëntor, serbët në veri të vendit morën vendim që të largohen nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës, duke e kundërshtuar fillimin e implementimit të vendimit qeveritar për konvertimin e targave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Të udhëhequr nga Lista Serbe, parti kjo mbi të cilën ushtron kontroll Beogradi zyrtar, serbët e veriut kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre gjatë kësaj jave.

Sadiku thotë se institucionet në veri, si Policia e Kosovës, Gjyqësori e Prokuroria, janë duke funksionuar por me kapacitete tejet të limituara.

“Tek ne janë prekur institucionet vitale, pra është Qendra për Punë Sociale jofunksionale, zjarrfikësit jofunksionalë dhe të gjithë ata që kanë qenë në sistemin e Republikës së Kosovës kanë dhënë dorëheqje. Politikanëve u ka hije të bëjnë bllokada, u ka hije të bëjnë gjëra të pahijshëm por në pushtetin e ndarë është e dhimbshme që gjyqësori, është dhimbshëm që ata që janë të thirrur ta mbrojnë rendin dhe qetësinë publike janë dorëhequr, posaçërisht edhe më e dhimbshme është kur shërbyesit civilë në kuptimin e plotë të fjalës janë në shërbim të popullit, janë dorëhequr… Ju mund ta imagjinoni sa larg është shkuar kur edhe zjarrfikësit kanë dhënë dorëheqje, mund ta imagjinoni ju nëse ndodh një djegie e shtëpisë në komunën veriore të Mitrovicës nuk ka zjarrfikës”, thotë ai.

Por largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk po del të jetë vullnetar meqë shumë punonjës në kushte anonimiteti kanë dhënë rrëfime të ndryshme se janë detyruar të japin dorëheqje dhe se vendimi është marrë nga Lista Serbe.

“Kërcënimet kanë qenë në kohë të gjatë jo vetëm në këtë moment, por janë aq të frikësuar… Shpresoj që edhe komuniteti serb pas këtyre gjërave do të demokratizohet. Neve shpresojmë që do të arrihet një qetësi dhe paqe e cila edhe komunitetit serb i duhet, sepse ne jemi këtu pakica, mund ta imagjinoni nëse komuniteti shumicë ka telashe si ndjehemi ne të tjerët” shton ai.

Me dorëheqjen e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës është hapur rrugë për shpallje së zgjedhjeve atje. Madje të hënën presidentja ka ftuar partitë politike për konsulta për datën e zgjedhjeve.

“Të gjithë pjesëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor të komuniteti serb janë të dorëhequr, nuk e di kush do të mund t’i organizojë ata pjesëtarë të komunitetit serb me sa e di unë ligji nuk do t’u mundësojë. Por më dhimbshmja është që dikush duhet ta mbajë sigurinë në komunat veriore të Mitrovicës, nuk ka kapacitet, kapacitetet e policisë nuk janë aq në numër sa të mund të japin siguri për zgjedhje.

Partitë politike për zgjedhje ndoshta janë të përgatitura, funksionojë për zgjedhje, sa i përket Iniciativës Qytetare ne jemi të gatshëm mos të them që edhe nesër të vijnë zgjedhjet mirëpo ndoshta temën e zgjedhjeve duhet ta prolongojmë dhe temën e zgjedhjeve ta kërkojmë kur ka sinjale të normalizimit, kur ka sinjale të qetësimit që po frikësohen duke hap temë pas teme”, thotë Sadiku.

Dorëheqjet e serbëve të veriut, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, kanë filluar më 5 nëntor, një ditë pasi Qeveria e Kosovës nisi të zbatojë planin prej tri fazash për konvertimin e targave nga ato të paligjshme serbe ne targa RKS.

Që nga viti 1999 në veri të Kosovës qarkullojnë rreth 9 mijë makina me targa ilegale.

/GazetaSinjali/