image Disa qytetarë po protestojnë në Hagë, e përcollën Thaçin me këngë brenda Speciales

Politikë

Disa qytetarë po protestojnë në Hagë, e përcollën Thaçin me këngë brenda Speciales

news image

Disa qytetarë me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar qëndruan para Gjykatës Speciale në Hagë, ku hyri presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të intervistohet lidhur me akuzat për rreth 100 vrasje, shkruan Gazeta Sinjali.

Ata po protestojnë kundër kësaj gjykate dhe proceseve gjyqësore që do të zhvillojë kjo gjykatë ndaj ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Çfarë do tu themi fëmijëve që u janë zhdukur prindërit nga regjimi i Millosheviqit?”, “Ku është drejtësia për mbi 13 mijë viktima civil kosovarë nga regjimi serb në Kosovë?”, “Ky është racizëm”, “Hashim Thaçi nuk është vetëm emër, është simbol i një epoke të lavdishme”, janë disa nga mbishkrimet e pankartave që këta qytetarë po mbajnë në duar.

Intervistimi i Thaçit nga prokurorët e dhomave të specializuara i cili filloi tani nuk dihet sesa do të zgjasë.

Gazeta Sinjali ka pyetur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nëse Thaçi mund të qëndrojë më gjatë në Hagë, për t’u intervistuar për disa ditë me radhë, siç kishte ndodhur me disa ish-pjesëtarë të UÇK-së që ishin intervistuar më herët.

Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se për këtë çështje, burim i vetëm i informacionit është Hashim Thaçi dhe se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë dhe nuk do të japë asnjë informacion për këtë.

“Burimi i vetëm i informacionit për këtë çështje është Hashim Thaçi. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë asnjë informacion dhe nuk do të japë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dërguar Gazetës Sinjali./Gazeta Sinjali/