Zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz, në një intervistë për “Danas”, ka folur rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjes finale që pritet të arrijnë dy palët.
Ajo ka thënë se qëllimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd duhet të jetë arritja e një marrëveshje për të gjitha çështjet e rëndësishme të cilat kanë mbetur të pazgjedhura, një ujdi e cila do të jetë politikisht e qëndrueshme në të dy vendet dhe që do t’i kontribuojë stabilitetit rajonal.
Schutz ka thënë se Gjermania pret një ritëm të ri në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2020, pasi që sipas saj është harxhuar shumë kohë.
“Kur do të arrihet marrëveshja, varet kryesisht nga vullneti politik i palës serbe dhe asaj kosovare” , ka shtuar ajo.
Diplomatja gjermane tutje ka thënë se janë në koordinim dhe në komunikim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.
E pyetur nëse e sheh angazhimin amerikan si një konkurrencë për BE’në, Schutz ka thënë se e mirëpresin faktin që SHBA’ja po i kushton rëndësi më të madhe dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE’ja.
“Ne e mirëpresim faktin që SHBA’ja, si ne, i kushtojnë rëndësi të madhe politike dialogut të ndërmjetësuar nga BE. BE dhe SHBA’ja janë në komunikim të rregullt dhe intensiv për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun. Të gjithë janë të vetëdijshëm që marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse të gjitha palët do të tregohen bashkëpunuese.
Sa i përket emërimit të Grenell, diplomatja gjermane ka thënë se vendimi i Trump për një emërim të tillë po shihet si një shenjë e vëmendjes së madhe që Shtëpia e Bardhë dëshiron t’i kushtojë dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Emërimi i Ambasadorit Grenell si i Dërguar Special i Presidencës së SHBA’së interpretohet si një shenjë e vëmendjes së madhe të Trump, që dëshiron t’i kushtojë dialogut për normalizim të marrëdhënieve, dhe ne e mirëpresim këtë fakt. Në po vazhdojmë të rreshtohemi me partnerët tanë amerikanë për hapjen e mundësive në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje që mbyll të gjitha çështjet e pazgjidhura, dhe që kontribuon në stabilitetin e rajonit”, ka shtuar tutje ajo.
Schutz ka treguar edhe një herë që qëndrimi i Gjermanisë sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve është i pandryshueshëm, për arsye se çfarëdo prekje e kufijve do të destabilizonte Ballkanin Perëndimor.
“Pozicioni i Gjermanisë për këtë çështje është i ditur. Ne po vëzhgojmë diskutimet për kufij etnikë, dhe sipas mendimit tonë do të kenë efekt destabilizues për Ballkanin Perëndimor. Shumë politikanë në rajon gjithashtu ndajnë këtë shqetësim dhe vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen e publikut për këtë fakt. Sepse ne thjesht duam të arrijmë një zgjidhje që do të kontribuojë në stabilitetin e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, ka thënë ndër të tjera diplomatja gjermane./Gazeta Sinjali/