Pas tensioneve të fundit në veri të vendit, ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha apelon politikën kosovare për unitet lidhur me çështjen e dialogut, si dhe koordinim më të ngushtë me aleatët. Sipas tij, kjo do të jetë rruga më e mirë për shmangien e incidenteve dhe konflikteve eventuale në Kosovë, ose në Ballkanin Perëndimor. Në të kundërtën, thotë se çdo zvarritje e proceseve mund të mos jetë në favor të Kosovës.
Ish-ambasadori Dinosha, njëherësh kryetar i Unionit Nacional Shqiptar, thotë se në veçanti, kontakti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë i përhershëm.
Sa i përket marrëveshjes së Ohrit, Dinosha thotë se e njëjta mund të shkojë përtej asaj të vitit 2013 dhe siç kanë thënë edhe disa analistë, të mos jetë e dobishme.
“Situata në Kosovë vazhdon të jetë e paqartë dhe me tensione, mendoj se do të ishte më mirë sikur gjërat të fillonin të merrnin zgjidhje, në dobi të asaj që është interes i Kosovës dhe i rajonit në tërësi, sidomos i shqiptarëve në rajon. Pra, do të kisha dashur që të shihja që kontaktet e qeverisë aktuale të Kosovës me faktorin ndërkombëtar janë ato që prodhojnë rezultate të mira në proceset demokratike në Kosovë…Mbase nuk jam unë ai që mund t’i jap notë në punën e qeverisë. Vetëm vërej se proceset po ngadalësohen dhe se kjo mund të mos jetë në interes të Kosovës. Pra, kontakti me ndërkombëtarët, kontakti me amerikanët duhet të jetë permanent, duhet të jetë i përhershëm dhe duhet të jetë i sinqertë, dhe maksimalisht transparent…Qytetarët e Kosovës, shqiptarët meritojnë të dinë se çfarë po ngjanë, dhe meritojnë t’u thuhet qartë, se ku është pozicioni i qeverisë aktuale bashkë edhe me opozitën se disa gjëra nuk do të shkojnë drejt zgjidhjes, pa punë të përbashkët edhe me opozitën e Kosovës”, thotë ai.
“Kjo transparencë duhet të jetë e pranishme edhe kur është fjala për qasjen ndaj marrëveshjeve, të cilat janë arritur më parë me faktorin ndërkombëtar lidhur me marrëveshjen finale me Serbinë, dhe gatishmërinë e Kosovës, në këtë rast për të qenë ose për mos qenë në binarët e realizimit të marrëveshjeve të mëparshme. Sa vërej nga këtu, më duket se situata në kohë të fundit në veriun e Kosovës ka bërë koklavitje të mëtejme, nuk ka sqaruar gjëra, as marrëveshjen e Ohrit nuk e shoh si diçka që ka sqaruar skenën politike të brendshme në Kosovë, dhe mendoj se kjo duhet të ishte e nevojshme. Mund të mos kem unë informacion të mjaftueshëm për ta vlerësuar. Por, e di se analistë të caktuar e shohin si marrëveshje, e cila mund të mos jetë e dobishme, madje mund të shkojë përtej asaj që ka pas paraparë për palën serbe marrëveshja e vitit 2013”, thekson ai.
Sipas tij, regjimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq nuk dallon shumë me ato të kaluarat.
“Propaganda nga Serbia nuk më çudit fare, unë nuk pres diçka tjetër nga Serbia, marrë parasysh se në Serbi vazhdon të jetë në pushtet regjimi, i cili nuk ka dallim shumë nga regjimet e mëparshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund të presim demokraci të madhe nga ana e Serbisë dhe se prapë se prapë në duhet të jemi në krye të detyrës dhe të zgjidhim çështje të pazgjidhura ende, me ata që janë në pushtet në Serbi…Nuk mendoj se është mbyllje sysh karshi Serbisë, nuk mendoj se Perëndimi në përgjithësi, miqtë tanë ndërkombëtarë nuk e kanë të qartë se me kë kanë të bëjnë, kur është fjala për regjimin e Serbisë. Prapë se prapë, mendoj se kontakti ynë duhet të jetë ai, i cili dëshmon se ne jemi vazhdimisht të gatshëm, të konsultohemi me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe hapat tonë t’i koordinojmë me ta natyrisht. Ata janë të pranishëm përmes ambasadave në Kosovë, por zyrtarë të lartë të bashkësisë ndërkombëtare vijnë shpesh në Kosovë dhe unë mendoj se kontaktet tona duhet të dëshmojnë se sugjerimet e tyre janë ato, të cilat tërheqin veshin tonë. Pra, nuk guxojmë të lejojmë që për periudhë më të gjatë, sugjerimet e miqve të hasin në vesh të shurdhër tek ne, përkundrazi”, thotë Dinosha.
Ai foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Duhet thënë haptas ajo që dihet, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar, është diçka që Kosova ka marrë përsipër. Unë jam nga njerëzit, i cili mendon se cilido lloj Asociacioni, për serbët nuk do të ishte zgjidhje finale dhe nuk shoh se është shumë interes i Kosovës, që të shkohet në atë drejtim, sepse herët apo vonë asociacioni mund të krijojë probleme. Sidomos, duke ditur sjelljen dhe mënyrën e bërjes politikë të palës serbe dhe mënyrën e qasjes së tyre në përgjithësi, çështjes së Kosovës dhe çështjes së marrëdhënieve me shqiptarët. Pra, një lloj zgjidhjeje duhet nëse shumica në Kosovë mendon se asociacioni është zgjidhje. Atëherë duhet shkuar në atë drejtim, por me transparencë maksimale”, tha ai për KP.