image Digjitalizimi i mësimit, shkollat pa internet në Maqedoninë e Veriut

Rajon

Digjitalizimi i mësimit, shkollat pa internet në Maqedoninë e Veriut

news image

Me shkolla që u mungojnë kushtet elementare për mbarëvajtjen e procesit mësimor, nuk mund të synohet digjitalizimi apo aplikimi i librave elektronik, thonë Dragana Spasevska, aktiviste e platformës qytetare “Mësim dhe libra patjetër të ketë” dhe Satki Ismaili, mësues nga Tetova.

Duke folur për sfidat që karakterizuan vitin shkollor 2021/2022, aktivistja Dragana Spasevska ndalet në digjitalizimin teksteve shkollore, që është prioriteti kryesor i Ministrisë së Arsimit, dhe që ka nisur me klasat e para dhe të katërta, për t’u zgjeruar nga shtatori edhe me klasë të tjera.

“Ne nuk themi se nuk duhet të kemi digjitalizim. Është mirë ta kemi, por të jetë si mjet plotësues në sistemin arsimor e jo prioritet. Mendoj se prioritet duhet të jenë kushtet nëpër shkolla. Në shumë prej tyre, në veçanti në zonat rurale kanë mungesë të kushteve elementare. Ne ende kemi shkolla pa kanalizim, pa tualete, pa dërrasa të zeza, shkolla që mezi arrijnë të sigurojnë edhe drutë për ngrohje e të mos flasin për internet”, thotë Spasevska.

Edhe Satki Ismaili, mësues dhe aktivist për reforma në sistemin arsimor thotë se institucionet duhet të angazhohen për kushte më të mira në shkolla, pajisjen e tyre me internet e gjëra tjera.

Ai thotë se këtë vit problemet kanë qenë të shumta pasi jo të gjithë kishin mundësi të mësonin përmes librave digjitalë apo elektronikë.

“Në vitin shkollor që po lëmë pas, nxënësit kanë pasur vështirësi të shumta, sidomos me librat që ishin në formë digjitale, por nuk kanë pasur mundësi të kenë qasje. Ka pasur nxënës që nuk ka pasur as mjete apo teknologjinë e duhur. Familjet kanë qenë të detyruara që t’i kopjojnë librat. Kjo ka ndodhur edhe në familjet tona, fëmijët tanë, nipërit, mbesat tona nuk kishin qasje në librat digjitalë, andaj ishim të detyruar që t’i kopjojmë”, thotë Ismaili.

Asociacioni i Analistëve dhe Hulumtuesve të Rinj nga Shkupi ka zhvilluar një hulumtim lidhur me infrastrukturën dhe pajisjen tekniko-teknologjike të 799 shkollave fillore dhe rajonale në Maqedoninë e Veriut dhe ka dalë me të dhënat se shumë shkolla ende përballen me kushte të këqija. Sipas hulumtimit, ka shkolla që nuk kanë ujë, tualete, salla sportive, internet.

Në 30 shkolla fillore dhe rajonale në Maqedoninë e Veriut nuk ka objekte sanitare, për ndërtimin e së cilave, sipas analizës së bërë, nevojiten 378 mijë euro.

Sipas hulumtimit, edhe në ato shkolla ku ka internet, mungojnë pajisjet kompjuterike. Në një shkollë rurale të Shkupit me 1,758 nxënës, ka vetëm tetë kompjuterë.

Por, pavarësisht kësaj, Ministria e Arsimit vlerëson se reformat e nisura janë në rrugë të mbarë duke pranuar edhe ngecjet në çështje të caktuara, sidomos te digjitalizimi i librave.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka paralajmëruar se nga shtatori nxënësit do të kenë edhe libra të shtypur për të mos mbetur pas ato zona që kanë problem me internetin apo arsye të tjera që pamundësojnë qasjen në librat elektronikë.

“Kemi një fazë, në të cilën kemi arritur, bëhet analizë lidhur me gjendjen e shkollave. Procesi do të vazhdojë. Digjitalizimi nuk është një proces i shkurtër, ai zgjat, nuk është as i lirë, nevojiten mjete buxhetore. Sistemi arsimor ka arritur në një fazë.

Presim që nga shtatori të kemi libra të shtypur, por të kemi edhe materiale digjitale duke respektuar rregullat ligjore”, ka deklaruar Shaqiri.

Ai, po ashtu, ka paralajmëruar vazhdimin e reformave edhe në çështje të tjera si ndryshimi i programeve mësimore, orëve mësimore, kualifikimi i mësimdhënësve, sistematizimi i vendeve të punës e risi të tjera, që sipas tij do të jenë në funksionin të ngritjes së cilësisë në arsim.

Por, Sutki Ismaili, mësimdhënës thotë se të gjitha risitë që paralajmërohen, duhet të shtjellohen mirë para se të futen në përdorim.

“Jo vetëm të futen programe mësimore apo të bëhen të atilla që të mos mund të realizohen. Pra, ajo që merret si obligim apo që futet në sistemin e ri arsimor, duhet të shihet se cilat do të jenë rezultatet e një reforme të tillë. Asnjë analizë nuk është bërë se cilat ishin vështirësitë, me të cilat u përballëm në këtë vit shkollor, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit, s’ka asnjë analizë. Pra, nuk kemi asnjë analizë se cilat kanë qenë vështirësitë, cilat ishin sfidat, cilat janë rezultatet, cilat janë dallimet me një vit paraprak e kështu me radhë”, thotë Ismaili.

Veç kësaj, arsimi fillor dhe i mesëm u përballën edhe me protesta e bojkot të mësimit për paga më të larta për punonjësit e arsimit. Problemet e tilla mund të rikthehen në shtator, bazuar në paralajmërime e Sindikatës së Arsimit, nëse institucionet nuk i përmbahen marrëveshjes për rritjen e pagave dhe zbatimin e marrëveshjeve kolektive.

/GazetaSinjali/