Një zjarr e ka përfshirë qendrën e strehimit për refugjatë në ishullin grek të Lesbosit, afër kufirit me Turqinë, në kohën kur tensionet me vendin fqinj po vazhdojnë të rriten.
Nga zjarri u përfshi qendra “Një Familje e Lumtur”, e cila ndodhet afër qytetit kryesor të këtij ishulli, Mitilini. Nuk dihet si filloi zjarri, ndërsa autoritetet nuk kanë raportuar deri më tash për viktima.
Ditëve të fundit janë shtuar kundërshtimet ndaj refugjatëve në Lesbos për shkak të rritjes së numrit të të ardhurve nga Turqia, shkruan “BBC”.
Qindra imigrantë janë përpjekur të arrijnë në ishullin Lesbos qëkurse presidenti turk, Rexhep Erdogan, vendosi t’i hapë kufijtë dhe t’i lejojë refugjatët që të nisen drejt territoreve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ai të shtunën e ndryshoi pjesërisht vendimin, duke dhënë urdhër që roja bregdetare t’ua ndalojë refugjatëve lundrimin nëpër Detin Egje për shkak të mungesës së sigurisë.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian e ka akuzuar presidentin turk se po i përdor refugjatët për qëllime politike dhe ka shtuar se dyert e BE-së janë të mbyllura. /Gazeta Sinjali/