image Dialogu, të pagjeturit, Asociacioni e hapat e ardhshëm/ Gjithçka nga takimet e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë

Politikë

Dialogu, të pagjeturit, Asociacioni e hapat e ardhshëm/ Gjithçka nga takimet e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë

news image

Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i ShBA-së për Ballkanin dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, nisën dje vizitën e tyre zyrtare në Kosovë.

Agjendën e tyre ata e nisën me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca, pas takimit, Osmani citohet t’u ketë thënë dy diplomatëve se Kosova është e përkushtuar në dialogun që në qendër e ka njohjen reciproke. Mirëpo, sipas saj, ky proces po bllokohet nga Serbia.

“Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, citohet të ketë thënë Presidentja.

Osmani e ka përmendur edhe faktin që Serbia nuk i ka zbatuar një listë marrëveshjesh të nënshkruara. Presidentja ka theksuar se pret trajtim të barabartë të palëve në procesin e bisedimeve.

“Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut”, thuhet në komunikatë.

Presidentja po ashtu ka theksuar edhe një herë rëndësinë e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet në dialog.

Pas presidentes, Escobar dhe Lajçak u pritën nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti para Escobarit e Lajçakut: Jemi të vendosur që integriteti dhe sovraniteti të mbesin të pacenuara

Kryeministri doli në një konferencë për media bashkë me dy diplomatët, pas takimit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e vendosur që integriteti territorial të mbetet i paprekshëm.

Ai tha e mbështet procesin e dialogut, që sipas tij duhet të jetë parimor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet procesin parimorë në Bruksel. Ne jemi të vendosur që integriteti, sovraniteti, kushtetutshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo e ndokujt. Unë jam kryeministër i qytetarëve pa dallim prandaj jam i gatshëm t’i përgjigjem të gjitha kërkesave të qytetarëve të Kosovës. Ne dëshirojmë ndihmën e BE-së. Fondet dhe vlerat evropiane ne i shohim të pashkëputshme ndaj njëra tjetrës”.

Escobar rikonfirmon mbështetjen e ShBA-së për sovranitet dhe integritet të plotë territorial të Kosovës

I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka ripotencuar sot në Prishtinë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin integritetin e plotë territorial të Kosovës së pavarur.

Escobar mes tjerash shtoi se dialogu është e vetmja shpresë, që në të ardhmen Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

”SHBA fuqimisht mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e Kosovës, dhe keni këtu një partner solid dhe partner të mirë”.

”Për Kosovën dhe rajonin ne shohim se kjo është një fushë me rëndësi të madhe. Pra, ju jeni evropianë. Në këtë aspekt, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian, të gjithë të aftë për partnerë bilateral”.

”Shpresa e vetme pra është dialogu. Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë. Ndërsa ju futeni në Bashkimin Evropian, ju do të vazhdoni të jeni miq të mirë me Shtetet e Bashkuara sepse është një partneritet transatlantik, pjesë e të cilit jeni edhe ju” ka thënë Escobar.

Lajçak: BE dhe SHBA po punojnë krahë për krah, deri të mërkurën do kemi një fotografi më të qartë për të ardhmen e dialogut

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se BE dhe SHBA po punojnë bashkërisht sa i përket dialogut në Bruksel dhe mënyrës se si ai do të vazhdojë në të ardhmen.

Lajçak në fjalën e tij tha se vizita e tij bashkë me Escobarin është mesazh se BE e SHBA ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me të ardhmen e rajonit.

“Jam në Prishtinë që të vazhdoj diskutime me kryeministrin dhe presidenten. Kjo është vizita ime e shtatë si përfaqësues i BE-së për dialog, por ne jemi këtu kësaj here së bashku me kolegun Escobar për të dhënë një mesazh shumë të qartë se BE dhe SHBA punojnë krahë për krah dhe ndajnë një vizion të njëjtë për Kosovën, për procesin e dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ardhmen e rajonit”.

Diplomati sllovak tha se deri të mërkurën do të kenë një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja.

“Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për planet tona për javët dhe muajt e ardhshëm dhe ne do të vazhdojmë bisedimet me presidenten dhe kryeministrin dhe do të qëndrojmë këtu deri të mërkurën dhe shpresoj të kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si duhet të ndërtohet procesi dhe shpresoj se do t’ju njoftoj më vonë për të gjitha këto”, tha Lajçak. /GazetaSinjali/